SHBA dhuron skaner 86,000 dollarësh për Doganën e Rinasit

18 Shkurt 2022, 17:28| Përditesimi: 18 Shkurt 2022, 17:35

  • Share

Administratës Doganore Shqiptare iu dhurua nga Ambasada Amerikane në Tiranë, një skaner me rreze X, për kontrollin e bagazheve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Gjatë një ceremonie të organizuar me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, falenderoi Qeverinë e SHBA, që nëpërmjet Ambasadës kanë mbështetur ADSH në projekte të ndryshme.

"Një rol kyç për të gjitha organizatat moderne doganore mbetet kalimi i shpejtë i kufirit dhe lehtësimi i tregtisë. Skaneri me rreze X do të ndihmojë ndjeshëm në përmbushjen e detyrimeve të sigurisë për të garantuar qarkullimin e ligjshëm të udhëtarëve dhe mallrave në këtë pikë kufitare në më pak kohë", u shpreh në fjalën e tij Gazheli.

Sipas njoftimit për shtyp, Gazheli vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë amerikane për të lehtësuar lëvizjen legjitime të mallrave duke goditur korrupsionin dhe krimin. "Ne jemi të vetëdijshëm se ndërsa teknologjia dhe pajisjet mund të jenë shtesa të rëndësishme për çdo sistem menaxhimi, ato janë efektive vetëm nëse inkorporohen siç duhet në përpjekjet e planifikuara operacionale, tha kreu i Doganëa Shqiptare, duke shtuar, se administrata doganore është e përkushtuar të vazhdojë të bëjë në të gjitha pikat e kalimit kufitar". 

Ndërsa Ben Rockëell, drejtor i INL,  tha se "SHBA dhe Shqipëria bashkëpunojnë në kontrollin e fluksit të fondeve, mallrave dhe kontrabandës ilegale. Dogana është maja e shtizës për kapjen e këtyre flukseve, qoftë këtu në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës - pika kryesore e hyrjes së Shqipërisë - në kufijtë me fqinjët, ose në portet detare si Durrësi".

“Ambasada e SHBA-së është e kënaqur t'i dorëzojë Doganës një skaner të ri me rreze X prej 86,000 dollarësh, të prodhuar nga kompania amerikane Rapiscan, në emër të taksapaguesit amerikan. Kjo pajisje do të lejojë Doganën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës të kontrollojë bagazhet në mënyrë më efikase dhe efektive, duke rritur aftësinë për të identifikuar kontrabandën dhe duke përshpejtuar procesin për udhëtarët legjitimë", u shpreh përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane ne Tiranë.

Rockëell theksoi,  se "në fund të fundit, suksesi i Doganës do të bazohet në punën e palodhur të njerëzve të saj. Me ndershmëri, integritet dhe përkushtim ndaj misionit të tyre, ata do të kenë sukses. Kjo është ajo që ne mbështesim.”

Kreu i ADSH, Gazheli vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Qeveria Amerikane, dhe shprehu angazhimin maksimal të institucionit që ai drejton se do ketë tolerancë zero ndaj çdo kujt që shkel ligjin.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?