Elon Musk

Bota

SHBA/ Elon Musk i ‘bashkohet’ opozitës: Projektligji për buxhetin, i neveritshëm

4 Qershor, 07:32| Përditesimi: 4 Qershor, 07:36

  • Share

“Një gjë e neveritshme”. Po të përdornim një metaforë futbolli, nuk mund të thuhet që Elon Musk e ka marrë lehtë, teksa masakroi me këtë gjykim të prerë ligjin e shpenzimeve të miratuar nga ish-miku i tij Donald Trump. Problemi, megjithatë, është se përveç armiqësisë tashmë të pashlyeshme personale, midis të dyve del në pah edhe një divergjencë filozofike që rrezikon t’i sjellë dëm presidentit edhe brenda vetë bazës së tij. Për të mos folur pastaj për demokratët, të cilët ndoshta do ta kenë të vështirë ta rikthejnë në radhët e tyre sipërmarrësin nga Afrika e Jugut, por pa dyshim po përgatiten të përdorin fjalët e tij kundër armikut që ai vetë kontribuoi të rikthente në Shtëpinë e Bardhë.

Duke u shprehur dje në rrjetin e tij social X, Musk e la qartë të kuptohet se po i “vihen duart” dhe nuk mund t’i mbajë më: “Kërkoj ndjesë, por thjesht nuk mund ta duroj më”. Kush? Donald Trump? Jo, jo ende. Por pothuajse: “Ky projektligj kongresional i shpenzimeve federale, i mbushur me "mish derri" (pra fonde të pajustifikuara dhe përfitime të ndryshme të futura nga parlamentarët, shënim), është një neveri e neveritshme. Më pas, me qëllimin e qartë për t’ia vështirësuar punën shefit të Shtëpisë së Bardhë, sulmoi deputetët që e miratuan me vetëm një votë diferencë, duke i vënë në siklet përballë elektoratit: “Turp për kë e votoi, e dini që keni gabuar. E dini”.

Zëdhënësja e Trump, Karoline Leavitt, u përpoq me ngut të kufizonte dëmet: “Presidenti e njihte tashmë qëndrimin e Musk për këtë ligj. Kjo nuk do ta ndryshojë mendimin e tij”. E sigurt, por po ndryshon mendimin e disa republikanëve të cilët tani duan ta ndryshojnë atë në Senat, dhe në fund, koherenca mund të kthehet në bumerang.

Të lëmë mënjanë për një moment dyshimin (ndonëse të bazuar) se themeluesi i SpaceX është i zemëruar për arsye personale — duke nisur nga anulimi i emërimit të mikut Jared Isaacman në krye të NASA-s — dhe të përqendrohemi te përmbajtja politike/filozofike. Para disa ditësh Musk pranoi për CBS se nuk i mbështet të gjitha lëvizjet e administratës ku bënte pjesë, në veçanti sepse “jam për një shtet më të vogël”. Por kjo duhej të ishte Ungjilli i çdo presidenti republikan, ndaj edhe sikleti për Trump është i thellë.

Ndoshta Elon ndihet i tradhtuar, sepse Donald i kishte kërkuar të drejtonte Doge-n me qëllim për të shkurtuar rreth 2 mijë miliardë dollarë nga shpenzimet publike, por njëkohësisht paraqiti një “buxhet” që në rastin më të mirë e rrit deficitin me 2.700 miliardë deri në vitin 2034, sidomos për të ulur taksat për miqtë miliarderë. Atëherë jemi duke luajtur, ka menduar Musk. Kësaj i shtohet edhe pakënaqësia personale. Për demokratët nuk do të jetë e lehtë ta rikuperojnë Elonin, pasi ata janë për një shtet më të fuqishëm. Megjithatë, kritikat e tij janë një armë e çmuar elektorale, në prag të zgjedhjeve afatmesme të vitit të ardhshëm me të cilat ata shpresojnë të paralizojnë Trump-in./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?