Foto ilustruese

SHBA/ FDA miraton pilulën e parë për depresionin pas lindjes

5 Gusht 2023, 22:20| Përditesimi: 5 Gusht 2023, 22:22

  • Share

Zyrtarët federalë të shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar pilulën e parë për trajtimin e depresionit të rëndë pas lindjes, i cili prek mijëra nëna të reja në SHBA çdo vit. Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi të premten ilaçin Zurzuvae, për gratë që përjetojnë depresion të rëndë për shkak të lindjes ose gjatë shtatzanisë. Pilula merret një herë në ditë për 14 ditë.

"Qasja tek një ilaç i tillë do të ndihmojë shumë nga këto gra që përballen me luhatje të skajshme emocionesh që ndonjëherë janë kërcënuese për jetën," tha përmes një deklarate Dr. Tiffany Farchione, drejtoresha e FDA-së për barnat psikiatrike.

Depresioni pas lindjes prek rreth 400,000 gra në vit, dhe megjithëse ai mund të largohet shpesh vetë brenda disa javësh, ai edhe mund të vazhdojë për muaj apo edhe vite me radhë. Trajtimi standard përfshin terapi ose ilaçe kundër depresionit, të cilat mund të duan javë të tëra për dhënë efekt dhe nuk i ndihmojnë të gjithë.

Pilula e re prodhohet nga Sage Therapeutics, një kompani që ofron një ilaç të ngjashëm që jepet me injeksion për tre ditë në institucione mjekësore. FDA e miratoi atë kurë në vitin 2019, megjithëse nuk përdoret gjerësisht për shkak të çmimit prej 34,000 dollarësh dhe vështirësive për t’u përdorur.

Miratimi i pilulës nga FDA bazohet në dy studime të kompanisë që treguan se gratë që përdorën ilaçin Zurzuvae kishin më pak shenja depresioni gjatë një periudhe prej katër deri në gjashtë javësh, krahasuar me ato që morën një placebo. Efekti u shfaq brenda tre ditëve për shumë paciente./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?