Shtetet e Bashkuara siguruan medaljen e tyre të parë të artë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit këtë të mërkurë. Lindsey Jacobellis fitoi në garën snowboard për femra.
36-vjeçarja Jacobellis, ka qenë një figurë dominuese në historinë e këtij sporti, por karriera e saj mori një tjetër drejtim në Lojërat Olimpike të vitit 2006 në Torino, Itali. Në kërkim për medalje ari, Jacobellis rrëshqiti gjatë një kërcimi në pjesën e fundit të garës dhe u dëmtua dhe mori vetëm medaljen e argjendtë.
Në garën e së mërkurës në këtë kategori, Chloe Trespeuch e Francës fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa kanadezja Meryeta Odine mori medalje bronzi.
Ndërkohë skiatorja amerikane Mikeala Shiffrin, e cila ishte pretendente në disiplinën e skijimit alpin, nuk arriti të shtonte koleksionin e saj të medaljeve të arta olimpike.
Pak sekonda pasi kishte nisur garën, ajo doli nga pista duke u skualifikuar. Në këtë disiplinë, Petra Vlhova e Sllovakisë mori medaljen e artë, Katharina Leinsberger nga Austria fitoi medaljen e argjendtë dhe Wendy Holdener nga Zvicra fitoi medalje bronzi.
Po të mërkurën, 21-vjeçari Birk Ruud nga Norvegjia fitoi medaljen e artë në garën e madhe ajrore për meshkuj, stili i lirë. Në këtë disiplinë amerikani Colby Stevenson mori medalje të argjendtë, gjashtë vjet pas një aksidenti rrugor gati fatal për të, ndërsa Henrik Harlaut nga Suedia fitoi medaljen e bronztë.
Ndërkohë dy sportistë të tjerë amerikanë, Shuan White dhe Chloe Kim u kualifikuan për finalet e garës “gjysmë tub”, për meshkuj dhe femra.
35-vjeçari White është fitues i tre medaljeve të arta dhe po garon në Olimpiadën e tij të fundit Dimërore, ndërsa 21-vjeçarja Kim po kërkon të mbrojë medaljen e artë që fitoi në Lojërat Olimpike të vitit 2018.
Në një tjetër zhvillim nga Lojërat Olimpike Dimërore ishte dhe vendimi për të përjashtuar 5 skiatore pasi Federata Ndërkombëtare e Skive (FIS) vendosi se kostumet e tyre nuk ishin në përputhje me rregullat e vendosura nga kjo federatë./VOA/