Pandemia e Covid-19 në Kinë

Bota

SHBA/ Fshehën informacione për pandeminë e Covid-19, gjykata në Missouri dënon me 24 mld dollarë Kinën

8 Mars, 17:18| Përditesimi: 8 Mars, 17:22

  • Share

SHBA- Pandemia e koronavirusit ka kaluar prej pesë vitesh, por jo pasojat dhe problematikat, kryesisht ato që lidhen me akuzat për shkaktarin.

Një gjykatës federal në Missouri e ka shpallur qeverinë kineze fajtore për fshehjen e fillimit të pandemisë së COVID-19 dhe për grumbullimin e pajisjeve mbrojtëse.

Me një vendim gjyqësor të miratuar prej tij, Kina dënohet me gjobë në vlerën e 24 miliardë dollarëve, që zyrtarët e Missourit u zotuan ta zbatojnë duke sekuestruar asetet kineze.

Padia, e ngritur nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të Missourit, në muajin prill të vitit 2020, e akuzonte qeverinë kineze se kishte mbajtur të fshehta informacionet mbi ekzistencën dhe përhapjen e virusit dhe se më pas kishte ndërprerë furnizimin me pajisje mbrojtëse personale, për pjesën tjetër të botës. Akuza u përfaqësua nga kreu i prokurorisë, Andrew Bailey.

Zyrtarët kinezë deklaruan të premten se nuk e pranojnë vendimin e gjykatësit, por Stephen N. Limbaugh Jr. shkroi se “Kina po e mashtronte botën në lidhje me rreziqet dhe përhapjen e pandemisë COVID-19 dhe se ishte angazhuar në veprime monopoliste për të grumbulluar pajisjet mbrojtëse”, informon “New York Times”.

Këto veprime penguan reagimin e hershëm ndaj pandemisë në Shtetet e Bashkuara dhe e bënë të pamundur sigurimin e mjaftueshëm të pajisjeve për personelin mjekësor që luftonte kundër virusit.

Gjykatësi Limbaugh, nga Gjykata e Qarkut Lindor të Missourit, vendosi dënimin kundër Kinës, Partisë Komuniste që qeveris vendin, qeverive lokale, si dhe ndaj një agjencie shëndetësore dhe një laboratori.

Gjykatësi Limbaugh tha se avokatët e Missourit dëshmuan se Kina e dinte që virusi po përhapej dhe se po përhapej nga personi në person, shumë përpara se ta ndante këtë informacion me botën.

Ai gjithashtu tha se Missouri vërtetoi se Kina ndërmori hapa për të shtetëzuar fabrikat amerikane në Kinë për prodhimin e pajisjeve mbrojtëse, gjë që kufizoi furnizimin për eksport dhe rriti çmimet e pajisjeve mbrojtëse në Perëndim.

Gjykatësi vuri në dukje se COVID-19 ishte shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në Missouri në vitet 2020 dhe 2021. Ndërkohë, është ende e paqartë se si dhe kur zyrtarët e Missourit mund të veprojnë për të sekuestruar asetet kineze, përfshirë tokën, ashtu siç janë zotuar të bëjnë.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?