“Tremijë arrestime në ditë”. Është Stephen Miller, nënkryetar i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe ideologu kryesor i politikave të imigracionit të Trumpit, ai që koncepton kërkesat e elektoratit republikan. Ai i ka kërkuar policisë kundër emigracionit, ICE, të kryejë të paktën 3 mijë arrestime në ditë, me synimin për të arritur në 1 milion dëbime gjatë vitit 2025. Ky do të ishte një dyfishim i kulmit të dëbimeve të regjistruara gjatë administratës Obama (shkalla e arrestimeve ditore nga ICE është rritur ndjeshëm, me Floridën që i ka trefishuar krahasuar me vitin 2024). Por direktivat e Miller-it kanë favorizuar “sasinë mbi cilësinë”: nuk ka mijëra kriminelë të rrezikshëm për t’u arrestuar çdo ditë. Zgjidhja? “Peshkimi me rrjetë tërheqëse” i emigrantëve: gra të moshuara, fëmijë, shitës ambulantë që shesin pije të ftohta apo ushqim meksikan, punëtorë krahu.
Për të “hedhur rrjetën” atje ku përqendrohen punëtorët pa dokumente, vendi më i përshtatshëm janë pikat Home Depot — zinxhir gjigand dyqanesh për vegla dhe pajisje ndërtimi që prej kohësh shërbejnë si vende ku burrat që kërkojnë punë manuale mblidhen: për zhvendosje, riparime etj. Është një sekret i ditur nga të gjithë që kush ka nevojë për ndihmë ndalon në parkingun e njërës prej mbi 2000 pikave Home Depot në vend dhe gjen dikë për të punësuar (një praktikë e toleruar prej kohësh në Amerikë, siç përshkruan edhe Charles Bukowski te “25 endacakë të leckosur”, një nga tregimet e tij në “Histori të zakonshme çmendurie”).
Kontrollet janë përqendruar në këto parkingje, në qendrat për dërgimin e parave jashtë shtetit, në thertoret (një nga punët më të rrezikshme në Amerikë), në kishat (katolike dhe jo) që strehojnë përkohësisht njerëz në nevojë. Ka bërë bujë letra e ipeshkvit të San Bernardinos, Alberto Rojas, i cili para disa ditësh nxori një urdhër zyrtar që përjashton nga detyrimi për të ndjekur meshën të gjithë anëtarët e dioqezës së tij “që, për shkak të frikës reale nga kontrollet e emigracionit, nuk janë në gjendje të marrin pjesë në meshën e së dielës ose në meshët e ditëve të shenjta: ata përjashtohen nga ky detyrim deri në një njoftim të dytë”.
Dioqeza e San Bernardinos përfshin 1.6 milionë besimtarë katolikë në qarqet San Bernardino dhe Riverside në Kaliforninë Jugore. “Në nxjerrjen e këtij dekretit, më udhëheq misioni i Kishës për t’u kujdesur për mirëqenien shpirtërore të të gjithë atyre që më janë besuar, veçanërisht për ata që përballen me frikë ose vështirësi”, ka shkruar ipeshkvi Rojas, duke u bërë kështu — në këtë moment kaotik për Partinë Demokratike që nuk po arrin të ndikojë asgjë, përfshirë imigracionin — një nga figurat më të dëgjuara në kundërshtimin ndaj politikave të Trumpit.
Ndërkohë, në kontrast me thirrjet e ashpra në rrjetet sociale nga mbështetësit më të zëshëm të Trumpit, që kërkojnë më shumë arrestime, dëbime dhe masa të ashpra, sondazhet e fundit të Gallup tregojnë një panoramë më të ndërlikuar.
Përqindja e të rriturve amerikanë që mendojnë se imigracioni është një “gjë pozitive” për vendin është rritur ndjeshëm, madje edhe mes republikanëve: nga 64% vitin e kaluar, në 79% këtë vit. Vetëm 2 nga 10 të rritur thonë se imigracioni është negativ (në rënie nga 32% vitin e kaluar).
Djathtistët më racionalë e kanë kuptuar se shprehja e vjetër e Obamës (“Nëse vjen për të punuar dhe për të respektuar rregullat, je i mirëpritur; nëse vjen për të bërë krime, rri ku je”) bazohej në nevojën reale për fuqi punëtore në sektorë thelbësorë si bujqësia dhe turizmi. Për këtë arsye është përmendur një lloj mini-amnistie, edhe pse askush nuk do ta quajë kështu: nën presion, administrata Trump ka nisur një program për të thjeshtuar dhënien e vizave për punëtorët migrantë sezonalë, për të garantuar që frutat të mblidhen, mishi të paketohet dhe hotelet të pastrohen. “Nuk është një amnisti”, kanë përsëritur ditët e fundit ministrat e tij, të shqetësuar për reagimin e bazës. Por gjithsesi, është një hap përpara./ Corriere della Sera
Komente
