Protestë për punonjësit federalë

Bota

SHBA/ Gjykatësit kundërshtojnë politikën e administratës së Trump, urdhërojnë rikthimin e mijërave punonjësve të pushuar nga puna

14 Mars, 10:14| Përditesimi: 14 Mars, 11:12

  • Share

Gjyqtarët federalë në Kaliforni dhe Maryland urdhëruan të enjten administratën e Donald Trump që të rikthejë mijëra punonjës federalë që humbën vendet e punës si pjesë e shkarkimeve masive të kryera në 19 agjenci, raporton Reuters. Vendimi për shkarkimet masive erdhi si pasojë e ‘politikës’ së Elon Musk për të tkurrur në mënyrë drastike burokracinë federale. 

Gjykatësi i qarkut në Baltimore, James Bredar ra dakord me 20 shtete të udhëhequra nga demokratët se 18 nga agjencitë që kishin pushuar në masë punonjësit javët e fundit shkelën rregulloret. 

Administrata argumentoi se pushimi i punonjësve ka ardhur për shkak të performancës apo arsyeve të tjera individuale, por gjyqtari i hodhi poshtë këto pretendime, pasi shkurtimet janë parë si një formë pushimi masiv.

"Numri i madh i punonjësve që u pushuan brenda pak ditësh hedh poshtë çdo argument se këto ndërprerje ishin për shkak të performancës ose sjelljes së pakënaqshme individuale të punonjësve," u shpreh gjykatësi.

Më herët, edhe gjykatësi William Alsup gjatë një seance dëgjimore në San Francisko urdhëroi rikthimin e punonjësve në provë në gjashtë agjenci, duke përfshirë Departamentin e Mbrojtjes të SHBA, i cili nuk mbulohej nga vendimi i Maryland.

Trump dhe Musk, ‘arkitekt’ i Departamentit të Efiçencës së Qeverisë të administratës, po ndjekin një fushatë agresive për tkurrjen e fuqisë punëtore federale, e përbërë nga rreth 2.3 milionë punëtorë kur Trump mori detyrën në janar.

Raundi i parë i shkarkimeve masive u përqendrua te punëtorët në provë, të cilët kanë arsye të kufizuara për të kundërshtuar pushimet e tyre. Të paktën 24,000 janë pushuar nga puna që kur Trump u kthye në detyrë, sipas shteteve të udhëhequra nga demokratët, të cilët  ngritën padi duke sfiduar shkarkimet.

Shtetet në padinë e tyre thonë se duke pushuar punëtorët në masë, agjencitë federale u angazhuan në pushime masive nga puna që supozohet të udhëhiqen nga një sërë rregulloresh. Agjencitë nuk i ndoqën procedurat, të tilla si njoftimi i qeverive shtetërore dhe lokale 60 ditë përpara pushimeve masive.
 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?