Anija venezueliane e goditur me urdhër të Trump

Bota

SHBA godet një tjetër anije venezueliane, vdesin 3 persona! Trump: Kartelë të dhunshëm, po trafikonin drogë

16 Shtator, 08:12| Përditesimi: 16 Shtator, 08:17

  • Share

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka deklaruar se një tjetër anije venezueliane që po udhëtonte në ujërat ndërkombëtarë drejt SHBA-ve duke transportuar drogë, është goditur nga Amerika duke vrarë dhe 3 personat që ndodheshin në bord.

“Këtë mëngjes, me urdhër të mi, forcat ushtarake amerikane kryen një sulm të dytë kinetik kundër karteleve të trafikimit të drogës dhe narkoterroristëve të identifikuar pozitivisht dhe jashtëzakonisht të dhunshëm. Këto kartele jashtëzakonisht të dhunshme të trafikimit të drogës përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së", tha Trump në Truth Social.

Tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan më 2 shtator, kur me udhër të Trump u godit një anije në ujërat e Karaibeve që dyshohej se po transportonte drogë, pjesë e kartelit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke vrarë 11 persona.

Duke folur më vonë nga Zyra Ovale, Trump tha se SHBA-të kishin regjistruar prova dhe prova se anijet i përkisnin grupeve narko-terroriste.

"E tëra çfarë duhet të bësh është të shikosh ngarkesën, ishte e shpërndarë në të gjithë oqeanin, qese të mëdha me kokainë dhe fentanil kudo. Ne i regjistruam ato. Ishte shumë e kujdesshme, sepse e dimë që ju njerëz do të na ndiqni. Ne jemi shumë të kujdesshëm."

Trump vazhdoi duke pohuar se trafikimi i drogës drejt SHBA-së nga deti kishte rënë pas përpjekjeve të fundit, por pranoi se narkotikët ende po hynin në vend nga toka.

"Po u themi karteleve tani se do t'i ndalojmë edhe ata," tha ai.

Nga ana tjetër, presidenti Maduro tha se marrëdhëniet me SHBA-në ishin “shkatërruar nga kërcënimet e tyre me bomba”.

"Kemi kaluar nga një periudhë marrëdhëniesh të dëmtuara në një periudhë tërësisht të prishur".

Presidenti venezuelian tha se qeveria do të ushtronte “plotësisht” të drejtën e saj legjitime për të mbrojtur veten.

SHBA-të dhe shumë vende të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, nuk e kanë njohur rizgjedhjen e Maduros në korrik 2024, duke iu referuar provave të mbledhura nga opozita me ndihmën e vëzhguesve të pavarur që tregojnë se rivali i tij, Edmundo González, i kishte fituar zgjedhjet me një shumicë dërrmuese.

Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar gjithashtu Maduron për drejtimin e një karteli droge të quajtur Karteli i Diejve dhe po ofrojnë një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacionin që çon në kapjen e tij .

Maduro i ka mohuar akuzat dhe ka akuzuar SHBA-në për një "lëvizje imperialiste" për ta rrëzuar atë.

Ai u ka bërë thirrje venezuelianëve të regjistrohen në milicinë, një forcë e përbërë nga civilë e cila në të kaluarën është përdorur kryesisht për të rritur numrin e anëtarëve në tubime dhe parada politike.

SI.E./K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?