Eugen Beçi

Shkresa e DSIK/ SHBA i hoqi vizën prokurorit Eugen Beçi, KPK e shkarkon

6 Gusht 2019, 07:30| Përditesimi: 6 Gusht 2019, 12:01

  • Share

TIRANË-Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, në datën 26 qershor të këtij viti, vendosi të shkarkonte nga detyra prokurorin në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, Eugen Beçi, për probleme me pasurinë si dhe për deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës.

Po çfarë të dhënash nuk deklaroi Eugen Beçi, sipas KPK, në deklaratën për kontrollin e figurës?  Sipas vendimit të Komisionit të Vetingut, prokurori nuk ka deklaruar faktin se i është revokuar viza amerikane në datën 26.1.2017. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar dy raporte për Eugen Beçin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në datën 4 prill të 2019, DSIK ka depozituar pranë KPK një raport të dytë për Beçin, duke korrigjuar raportin e parë. Në raportin e dytë, DSIK thotë se prokurori i Krimeve të Rënda ka bërë deklarim të pasaktë në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës, pasi nuk ka deklaruar revokimin e vizës amerikane. “Në vlerësim të të dhënave mbi subjektin e rivlerësimit, z. Eugen Beçi gjykohet se: referuar parashikimeve të bëra në Aneksin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në nenin DH “Kontrolli i figurës”, pika 4, subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beçi, evidentohet se ka bërë deklarim të pasaktë në plotësimin e Deklaratës për Kontrollin e Figurës, konkretisht në germës “g”, të pjesës nr. 5, “Të dhëna për sigurinë”, pasi nuk ka deklaruar revokimin e vizës amerikane si fakt i ndodhur para ditës së dorëzimit të formularit për kontrollin e figurës. Për sa më sipër, mosdeklarimi në këtë rast, e ngarkon subjektin, z. Eugen Beçi, me përgjegjësinë e fshehjes së faktit dhe me plotësimin jo me vërtetësi të deklaratës për kontrollin e figurës. Grupi i Punës rishikon konstatimin fillestar të figurës së subjektit të rivlerësimit dhe arrin në përfundimin mbi papërshtatshmërinë e vijimit të ushtrimit të detyrës nga subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beçi”, thuhet në raport.

Qëndrimi i KPK  
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hetuar mbi informacionin dhe konkluzionin e DSIK. Sipas vendimit të KPK, DSIK-ja informoi Komisionin se Eugen Beçi, ka dorëzuar deklaratën për kontrollin e figurës në datën 27.1.2017. Në këtë regjistër është nënshkrimi i tij dhe emri mbiemri dhe nënshkrimi i punonjësit të DSIK-së. DSIK-ja ka informuar gjithashtu Komisionin se Beçit i është revokuar viza amerikane në datën 26.1.2017. Sipas KPK, ky fakt nuk ishte pasqyruar nga subjekti i rivlerësimit në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës, (dorëzuar në DSIK në datën 27.1.2017) konkretisht në germën “g”, të pjesës nr. 5, “Të dhëna për sigurinë”, si fakt i ndodhur para ditës së dorëzimit të deklaratës për kontrollin e figurës në DSIK nga subjekti. “Subjekti i rivlerësimit nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për të deklaruar refuzimin e hyrjes në SHBA (vend anëtar i NATO-s), në zbatim të parashikimeve ligjore të germës “g”, të pjesës nr. 5, të “shtojcës 3”, të ligjit nr. 84/2016, duke mos e pasqyruar këtë fakt të ndodhura deri në ditën e deklarimit, në përgjigjen e dhënë pyetjes, nëse gjatë 10 viteve të fundit i është refuzuar hyrja vende të BE-së/NATO-s. Shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e barrës së provës, në lidhje me plotësimin në mënyrë të pasaktë të formularit të deklarimit për kontrollin e figurës, si dhe fshehjen e fakteve dhe të rrethanave të ndodhura para dorëzimit të këtij formulari, sipas nenit 39, të ligjit nr. 84/2016. Në përmbledhje të sa më sipër, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beçi, nuk ka plotësuar në mënyrë të saktë dhe me vërtetësi formularin e deklarimit për kontrollin e figurës dhe ka fshehur fakte dhe rrethana të ndodhura para dorëzimit, sipas ligjit të këtij formulari. Subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beçi, nuk ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës”, thuhet në vendim.

Shpjegimi i prokurorit
Prokurori në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, Eugen Beçi, ka deklaruar se në asnjë rast nuk i është refuzuar hyrja në SHBA. “Siç edhe ligji e kërkonte, në datën 27.1.2017 kam dorëzuar formularin nr. *** prot. të deklaratës për kontrollin e figurës në DSIK. Para datës 27.1.2017, Zyra Konsullore pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë më njoftoi për revokimin e një vize trevjeçare që kisha marrë pranë kësaj ambasade, duke bërë dhe shënimet përkatëse. ...theksoj se mbi bazën e koncepteve juridike, gjuhësore dhe logjike, në asnjë rast nuk i është refuzuar hyrja jo vetëm në SHBA, por në asnjë vend tjetër anëtar apo jo anëtar i Bashkimit Europian. Për këtë mbetet i bindur bazuar në fakte, prova dhe shpjegime të këtyre koncepteve nga vetë ligjzbatuesit e shtetit për të cilin ju bëni fjalë, pra, SHBA-së”, ka sqaruar Beçi për KPK.

Kontakti i papërshtatshëm
Në deklaratën e plotësuar, të nënshkruar dhe të dorëzuar në DSIK për kontrollin e figurës, Eugen Beçi, ka deklaruar se ka pasur një kontakt të papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar. “Nisur nga fakti se ky kontakt i papërshtatshëm i deklaruar nga subjekti përbënte një fakt të njohur, pasi lajmi ishte publikuar në gazetat e asaj kohe, Komisioni nuk e konsideroi deklarimin e subjektit si një rrethanë lehtësuese duke arsyetuar se ai nuk mund të fshihte një fakt të njohur publikisht. Bazuar në nenin 52, të ligjit nr. 84/2016 dhe nenin DH/4, të Aneksit të Kushtetutës, iu kalua subjektit barra e provës, për të paraqitur shpjegime apo prova të tjera, për të provuar të kundërtën për këtë kontakt të papërshtatshëm, deklarimi i të cilit duket se nuk ishte në kushtet e asnjërit prej parashikimeve të pikës 5, të nenit 38, të ligjit nr. 84/2016. Subjekti deklaroi se publikimi i lajmit ka qenë i qëllimshëm dhe se ai, kohë më vonë, ka mësuar se shtetasi F. S. ka qenë i dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Lartë për mbajtje të lëndëve narkotike, sipas nenit 283 të Kodit Penal, për një fakt penal të hetuar në Itali. Subjekti ka shpjeguar se nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen penale të shtetasit F. S., nuk ka hetuar apo gjykuar asnjëherë shtetasin F. S. apo ndonjë të afërm të tij dhe, gjatë ushtrimit të detyrës, nuk është gjendur asnjëherë në konflikt interesi”, thuhet në vendimin e KPK.

Faksimile e vendimit të KPK për Eugen Becin

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?