UASHINGTON- Hakerat kinezë depërtuan në disa kompjuterë të Departamentit amerikan të Thesarit dhe siguruan qasje në dokumente të paklasifikuara përmes një programi kompjuterik të një entiteti të tretë që ofron shërbime për departamentin, njoftuan zyrtarët.
Departamenti i Thesarit nuk dha detaje se për sa kompjuterë bëhej fjalë apo se tek çfarë dokumentesh mund të kenë pasur qasje hakerat, por përmes një letre drejtuar ligjvënësve ku i njoftonte për këtë incident thekson se “deri më tani nuk ka dëshmi që tregojnë se hakerat kanë vazhduar të kenë qasje tek informacionet e Thesarit”.
Sipas letrës, ky rast po hetohet si një “incident madhor në sigurinë kibernetike”.
“Thesari i trajton me shumë seriozitet të gjitha kërcënimet kundër sistemeve tona dhe të dhënave që ato ruajnë”, tha një zëdhënës i këtij departamenti në njoftim.
“Gjatë katër viteve të fundit, Thesari e ka përforcuar mbrojtjen e vet kibernetike dhe do të vazhdojë të punojë bashkë me partnerët në sektorin privat dhe publik për të mbrojtur sistemin tonë financiar nga kërcënuesit”, shtoi ai.
Ndërkohë një zëdhënës i Ambasadës Kineze në Uashington hodhi poshtë çdo përgjegjësi për hakimin, duke thënë se Pekini "kundërshton me vendosmëri sulmet shpifëse të SHBA-së kundër Kinës pa ndonjë bazë faktike".