Zyrtarët e lartë nga Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut në takimin e tyre në Japoni u zotuan të rrisin bashkëpunimin trepalësh për të forcuar masat e frenimit dhe sanksionet kundër Koresë së Veriut. Ata gjithashtu theksuan nevojën për dialog me Phenianin.
“Javën e kaluar Koreja e Veriut sërish i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të tërhiqen nga e ashtuquajtura politikë armiqësore. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne nuk kemi asnjë qëllim armiqësor dhe kemi ndërmarrë hapa të vullnetit të mirë për të demonstruar para Koresë së Veriut se jemi të gatshëm të bisedojmë për të zgjidhur dallimet tona”, tha përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Korenë e Veriut, Sung Kim.
Ndërsa, zyrtari i lartë i Ministrisë së Jashtme të Japonisë, Takehuro Funakoshi tha se tre vendet tashmë kanë marrë masa në përgjigje të provave të fundit të Koresë së Veriut me raketa.
“Ushtritë e tre vendeve tona tashmë kanë kryer një stërvitje me raketa balistike në përgjigje të provave me raketa balistike ndërkontinentale të kryera nga Koreja e Veriut javën e kaluar. Ne do të eksplorojmë mënyra të tjera për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë trepalësh në fushën e sigurisë”, tha ai.
Përfaqësuesi amerikan për Korenë e Veriut, Sung Kim foli edhe për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të mësuar më shumë për gjendjen e ushtarit amerikan Travis King, i cili kaloi të mërkurën në Korenë e Veriut.
“Ne po punojmë fort për të mbledhur më shumë informacione rreth gjendjes së tij. Jemi të angazhuar në mënyrë aktive për sigurinë dhe kthimin e tij”, tha zyrtari amerikan Sung Kim.
Ushtari 23-vjeçar Travis King ishte ndaluar në Korenë e Jugut nën akuzat për sulm fizik dhe u lirua më 10 korrik pasi kreu dënimin. Ai u dërgua në aeroport të hënën, por nuk hyri në avionin që u nis drejt Shteteve të Bashkuara. Në vend të kësaj, ai iu bashkua një udhëtimi turistik në kufi dhe kaloi në territorin e Koresë së Veriut.
Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut biseduan edhe për takimin e krerëve të vendeve të tyre që do të mbahet muajin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara. /VOA/