Biden tërhiqet nga gara presidenciale: Do vijoj përmbushjen e detyrave, mbështes Kamala Harris! Zv.presidentja: Jam e nderuar

21 Korrik, 20:06| Përditesimi: 21 Korrik, 23:01

  • Share

Presidenti amerikan Joe Biden është tërhequr nga gara për zgjedhjet presidenciale për Shtëpinë e Bardhë. Biden në njoftimin e largimit të tij është shprehur se ky vendim "është në interesin e partisë dhe të vendit".

“Besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të fokusohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia si President për pjesën e mbetur të mandatit tim”, ka shkruar Biden në letrën ku njofton largimin, të cilën e ka postuar në llogarinë e tij X.

Tërheqja e presidentit aktual nga gara përballë Donald Trump vjen katër muaj përpara se amerikanët të shkojnë në votime e 5 nëntorit. 

Mos-kandidimi i tij për një mandat të dytë, vjen pas presionit të madh nga demokratët për shkak të një debati të lëkundur përballë Trump. Madje as tentativa për vrasjen e Trump, nuk arriti të shtonte besimin tek Biden, i cili ka humbur edhe mbështetjen e një pjesë të demokratëve në kongres.

Tashmë demokratët duhet të dalin me një kandidat përballë ish presidentit Donald Trump, ndërkohë Biden propozon që e nominuara për president të jetë Kamala Harris që aktualisht është zëvendëspresidente.

“Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte të zgjedh Kamala Harris si Zëvendës Presidente. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e nominuara e partisë sonë këtë vit”, shkruan Biden.

Pas tërheqjes së rivalit nga gara ka reaguar Donald Trump duke e konsideruar si presidentin më të keq të historisë së SHBA-ve. Ndërsa Harris, ish presidenti Trump thotë se është më e lehtë për t'u mposhtur sesa Biden. 

“Joe Biden nuk ishte i përshtatshëm për të kandiduar për President! Dhe tani, shikoni se çfarë i ka bërë vendit tonë, me miliona njerëz që vijnë përtej kufirit tonë, plotësisht të pakontrolluar. Ne do të vuajmë shumë për shkak të presidencës së tij, por do ta korrigjojmë shumë shpejt dëmin që ai ka bërë.”, shkruan Trump në median sociale Truth.

Ndërkohë ka pasur edhe një reagim nga zëvëndës presidentja Kamala Harris që është shprehur se 'ndjehet e nderuara nga miratimi i Joe Biden për kandidaturën e saj për presidente të Shtëpisë së Bardhë'. Më tej ajo shton se do bëjë çdo gjë është e mundur për të mbajtur kombin të bashkuar dhe për të mposhtur Donald Trump.

Pas këtij vendimi që ka lëkundur politikën amerikane, dhe ka futur në një rrugë tjetër garën presidenciale, Joe Biden bëhet presidenti i parë që tërhiqet nga gara për tu rizgjedhur. I vetmi që nuk ka kandiduar për tu rizgjedhur president ka qenë Lyndon Johnson në vitin 1968.

Kush është Joe Biden?

Joe Biden fitoi zgjedhjet në 3 nëntor 2020, ku mori 4 milionë vota më shumë se Trump, ndërsa në krye të Shtëpisë së Bardhë nisi më 20 janar 2021. Para se të zgjidhej president Biden, ka shërbyer në Uashington për gati gjysmë shekulli, 35 vjet si senator dhe tetë vjet si nënpresident në administratën e Barack Obamës - nga viti 2009 deri më 2017.

Me vite anëtar dhe tri herë kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Ai e shpalli kandidaturën e tij në prill të 2019, pas disa deklaratave të ashpra kundër Trump ku e akuzonte atë për ndarje të popullsisë për çështje të racës dhe imigracionit dhe për rrezikimin e “vlerave thelbësore të kombit”.
 

Ora 22:39
Bill dhe Hillary Clinton shprehin mbështetjen për Kamala Harris

1540388671_hillary.jpg

Bill dhe Hillary Clinton kanë reaguar lidhur me tërheqjen e Joe Biden nga gara presidenciale. Ata shprehin mbështetjen e tyre për Kamala Harris si kandidate e mundshme e demokratëve përballë Donald Trump. Në X, theksojnë se vendit i paraqitet një kërcënim serioz nga ardhja e dytë e Trump në pushtet, prandaj nevojitet mbështetja e Harris.

“Ne kemi përjetuar shumë ulje-ngritje, por asgjë nuk na ka bërë më të shqetësuar për vendin tonë sesa kërcënimi i paraqitur nga një mandat i dytë i Trump”, thuhet në deklaratën e tyre.

“Tani është koha për të mbështetur Kamala Harris dhe për të luftuar me gjithçka që kemi për të zgjedhur.”

Ora 22:28
Tërheqja e Biden, reagon Kremlini: Duhet të monitorojmë se çdo të ndodh më pas

1692964963_dmitrypeskov.jpg

Lidhur me tërheqjen e Joe Biden nga gara presidenciale ka reaguar edhe Kremlini. Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov kujtoi një deklaratë të Putinit pak kohë më parë se kandidati Biden ishte i preferuar për Rusinë.

Por shton ai ‘kanë mbetur edhe 4 muaj deri në zgjedhje dhe kjo është një periudhë e gjatë, ku mund të ndryshojnë shumë gjëra.

Duhet të jemi të durueshëm dhe të monitorojmë me kujdes se çfarë do të ndodh më pas. Prioriteti ynë është arritja e objektivave të Operacionit Special Ushtarak’.

Ora 22:17
'Jam e nderuar që kam miratimin e Joe Biden', Kamala Harris flet si kandidate e mundshme: Do bëj gjithçka të mbaj kombin të bashkuar, të mposhtim Trump

1667417291_werwerwerwere.JPG

Kamala Harris ka reaguar pas vendimit të Joe Biden për të mos kandiduar në zgjedhjet presidenciale për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë përballë Donald Trump.

Harris shpreh mirënjohje për Biden, pasi ky i fundit shprehu mbështetje për Harris si kandidate për Shtëpinë e Bardhë nga rradhët e demokratvëe.

Ajo shprehet se do të bëj gjithçka për të mbrojtur kombin për ta mbajtur të bashkuar dhe për të mundur Donald Trump dhe agjendën e tij ekstremiste. Ajo ndjehet ‘e nderuar që kishte miratimin e presidentit’ dhe ‘qëllimi im është ta pranoj këtë nominim’ shton ajo.

Ora 22:03
Obama falenderon Biden, por nuk shpreh mbështetje për Kamala Harris si kandidate ndaj Trump

Ish presidenti Barac Obama ka reaguar lidhur me tërheqjen e Joe Biden nga gara presidenciale për një mandat të dytë. Obama vlerëson Biden si një nga presidentët më të rëndësishëm të SHBA-së.

Obama vlerëson gjithashtu Biden si një president që largoi Amerikën nga kaosi ku e futi vendin Trump dhe administrata.

Por në dedikimin e tij Obama nuk shpreh dhe nuk përmend kandidaten e mundshme Kamala Harris, e cila momentalisht është zv.presidente e SHBA-së.

Reagimi i plotë i Barack Obamas: 

Joe Biden ka qenë një nga presidentët më të rëndësishëm të Amerikës, si dhe një mik dhe partner i dashur për mua. Sot, gjithashtu na është kujtuar - përsëri - se ai është një patriot i rendit më të lartë.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, kur fillova kërkimin tim për një zëvendëspresident, dija për karrierën e jashtëzakonshme të Joe në shërbimin publik. Por ajo që arrita të admiroja edhe më shumë ishte karakteri i tij - ndjeshmëria e tij e thellë dhe elasticiteti i fituar me mund; mirësjellja dhe besimi i tij themelor se të gjithë kanë rëndësi.

Që nga marrja e detyrës, Presidenti Biden e ka shfaqur atë karakter vazhdimisht. Ai ndihmoi në përfundimin e pandemisë, krijoi miliona vende pune, uli koston e barnave me recetë, miratoi legjislacionin e parë të madh të sigurisë së armëve në 30 vjet, bëri investimin më të madh për të adresuar ndryshimet klimatike në histori dhe luftoi për të siguruar të drejtat e punës njerëzit të organizohen për paga dhe përfitime të drejta. Ndërkombëtarisht, ai rivendosi pozitën e Amerikës në botë, rivitalizoi NATO-n dhe mobilizoi botën që të ngrihej kundër agresionit rus në Ukrainë.

Më shumë se kaq, Presidenti Biden na tregoi larg katër viteve të kaosit, gënjeshtrës dhe ndarjes që kishte karakterizuar administratën e Donald Trump. Nëpërmjet politikave të tij dhe shembullit të tij, Joe na ka kujtuar se kush jemi në më të mirën tonë – një vend i përkushtuar ndaj vlerave të modës së vjetër si besimi dhe ndershmëria, mirësia dhe puna e palodhur; një vend që beson në demokraci, sundim të ligjit dhe llogaridhënie; një vend që këmbëngul që të gjithë, pavarësisht se kush janë, të kenë një zë dhe meritojnë një shans për një jetë më të mirë.

Ky rekord i jashtëzakonshëm i dha Presidentit Biden çdo të drejtë për të kandiduar për rizgjedhje dhe për të përfunduar punën që filloi. Joe e kupton më mirë se kushdo aksionet në këto zgjedhje – se si gjithçka për të cilën ai ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij dhe gjithçka për të cilën përfaqëson Partia Demokratike, do të rrezikohet nëse e lejojmë Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe u japim republikanëve kontrollin e Kongresit.

Ne do të lundrojmë në ujërat e paeksploruara në ditët në vijim. Por kam besim të jashtëzakonshëm se liderët e partisë sonë do të jenë në gjendje të krijojnë një proces nga i cili do të dalë një kandidat i shquar. Unë besoj se vizioni i Joe Biden për një Amerikë bujare, të begatë dhe të bashkuar që ofron mundësi për të gjithë do të shfaqet plotësisht në Konventën Demokratike në gusht. Dhe unë pres që secili prej nesh të jetë i përgatitur për të përcjellë atë mesazh shprese dhe përparimi përpara në nëntor dhe më tej.

Tani për tani, Michelle dhe unë thjesht duam t'i shprehim dashurinë dhe mirënjohjen tonë Joe dhe Jill që na udhëhoqën me aq aftësi dhe guxim gjatë këtyre kohërave të rrezikshme - dhe për angazhimin e tyre ndaj idealeve të lirisë dhe barazisë mbi të cilat u themelua ky vend.

Ora 21:51
Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve: Biden duhet të jap dorëheqjen

1713161690_mikejohnson.JPG

Presidenti Joe Biden deklaroi sot tërheqjen nga gara presidenciale për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë përballë Donald Trump.

Menjëherë ka reaguar kreu republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson i cili u shpreh se Biden duhet të japë menjëherë dorëheqjen si president.

‘Nëse Joe Biden nuk është i përshtatshëm për të kandiduar për president, ai nuk është i përshtatshëm për të qenë president. Ai duhet të japë dorëheqjen menjëherë’, shkroi në X.

Ora 20:34
'Mbështes Kamala Harris për presidente', Biden: Ka përkrahjen time! Koha të mundim Trumpin

1721587024_kamaladhebiden.JPG

Përmes një postimi tjetër në X, pasi deklaroi tërheqjen, Biden shprehet se do të mbështes zv.presidenten Kamala Harris për zgjedhjet presidenciale 2024, ku përballë do të jetë Trump. Biden vlerëson Harris, ndërsa shtoi se e gjithë energjia e demokratëve do të jetë në mposhtjen e Donald Trump.

'Kolegët e mi demokratë, kam vendosur të mos e pranoj nominimin dhe të fokusoj të gjitha energjitë e mia në detyrat e mia si President për pjesën e mbetur të mandatit tim. Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte të zgjedh Kamala Harris si Zëvendës Presidente. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e nominuara e partisë sonë këtë vit. Demokratët - është koha të mblidhemi dhe të mundim Trumpin. Le ta bëjmë këtë", shkruan Biden në X.

 

Ora 20:27
Biden njoftoi tërheqjen nga gara, reagon Trump: Presidenti më i keq në historinë e Amerikës! Kamala Harris? Do jetë më e lehtë për t'u mposhtur

1721109552_donaldtrump.jpg

Në një telefonatë me CNN, pak minuta pasi presidenti Joe Biden njoftoi largimin e tij nga gara presidenciale e 2024-ës, ish-presidenti Donald Trump e përshkroi Bidenin duke e cilësuar “si presidenti më i keq deri tani në historinë e vendit tonë”. 

Ndërsa është e paqartë se kush do të jetë kandidati demokrat, Trump tha se mendon se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të jetë më e lehtë për t'u mposhtur sesa Biden, në rast se ajo kandidon përballë tij. 

Biden njoftoi tërheqjen nga gara për një mandat të dytë përballë Trump përmes një letre të publikuar në X, edhe pas presionit të madh nga vetë demokratët për shkak të paraqitjes së tij të keqe në debatin televizv me Donald Trump.

G.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • John: 22/07/2024 05:39

    Kjo eshte me keq se Biden

    Përgjigju
    • Boti: 22/07/2024 07:52

      Trapi eshte i mire sipas teje apo jo? Shko or zotri shif punet e tua

  • juli: 22/07/2024 04:15

    BRAVO BIDEN,,,,TREGOVE QE JE NJE NJERI ME VLERA TE LARTA..,,cdo gje eshte me moshe,,.TE UROJME SUKSESE NE DETYRAT E REJA...

    Përgjigju
  • Iris: 22/07/2024 02:40

    Kam ndjenja te perzjera per kete veprim te Biden.Vertet eshte i moshuar e ka disa probleme,por nuk mund te hidhesh ne perfundime nga rezultatet e debatit te pare.Me kujtohet debati i pare mes Obames e Romney,tere kohen Obama e mbajti koken ulur e u tregua kaq i squllur sa pas debatit te dyte nje komedian Stephen Colbert therriste ne shfaqjen e tij:/He's aliveee!/Dhe shpresoj te mos perseritet si me Hillary Clinton.Ne ate kohe baza demokrate kerkonte qe nominimi t'i jepej B.Sanders,por kupola demokrate kishte frike se mos digjeshin ne zgjedhjet e Nentorit per shkak te ideve te tij socialiste e komuniste dhe ja dhane kunder deshires te bazes nominimin Hillaryt e prape u dogjen ne fund, sepse fitoi Trump.Nese Harris merr nominimin e humb ne Nentor,atehere do te jete Biden, qe do te qeshe i fundit.Megjithate te shohim si do te shkojne punet dhe ky eshte nje mesim shume interesant per demokracine e politiken shqiptare edhe pse kjo e fundit as meson,as degjon,por sillen si bajraktare e bejlere me parti si bajraqe e bejlerlleqe personale.

    Përgjigju
  • Dhelpra: 22/07/2024 00:28

    E kemi tradite ne shqiptaret te shohim hallet e te tjereve o Ari

    Përgjigju
  • Ariu: 21/07/2024 22:27

    Ndonje lajm per rritjen e pensioneve , minimumit jetik , permiresimin dhe mbulimin e territorit te republikes me sherbime publike ( shendetesi, arsim, drejtesi) ka apo jo ? Amerikanet mire apo keq i zgjidhin hallet e tyre pa ndihmen e askujt !

    Përgjigju
    • Ariu: 22/07/2024 08:36

      Po or lum miku po , n’a u mbush sofra tani qe mbeti vetem nje plak matuf ! Pleqte tane ndertuan Nje vend te terin nga hiçi duke punuar si skllever dhe sot nuk blejne dot ilacet e hane 1 here ne dite !

    • Or tej: 21/07/2024 23:45

      330milione banore qe kishin ngelur per te votuar 2 pleqe matufe te duket pak or teeeejjjjj

  • Sondazhi i ditës:

    E kujt është përgjegjësia për kaosin në Kuvend?