Shtetet e Bashkuara paralajmëruan për një katastrofë të mundshme ekologjike në Detin e Kuq pas sulmit të grupit rebel Houthi ndaj një anije çisternë javën e kaluar.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield tha të dielën në mbrëmje se Këshilli i Sigurimit “duhet të dënojë” sulmin e grupit rebel Houthi ndaj çisternës “Delta Sounion.”
Sipas saj, “veprimet e pacipa të rebelëve Houthi kërcënojnë të krijojnë një katastrofë ekologjike me pasoja shkatërrimtare për tërë rajonin.”
Ajo tha se Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të kërkojë respektim të menjëhershëm të rezolutës së miratuar në muajin janar, që u bën thirrje rebelëve Houthi të ndalojnë sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Grupi Houthi, i mbështetur nga Irani, tha të enjten se sulmi ndaj çisternës greke u bë në shenjë solidariteti me palestinezët për shkak të luftës së Izraelit dhe Hamasit në Gazë.
Ekipet e shpëtimit evakuuan ekuipazhin e anijes çisternë pas sulmit, e cila u përfshi nga flakët.
Misioni evropian detar në Detin e Kuq njoftoi se anija çisternë po transportonte 150,000 tonelata naftë së papërpunuar.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller tha të shtunën se rebelët Houthi “e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm të shkatërrojnë industrinë e peshkimit dhe ekosistemin rajonal në të cilën mbështeten jemenët dhe komunitetet tjera të rajonit për të jetuar, njësoj siç i kanë minuar edhe përpjekjet për të dërguar ndihma humanitare në rajon përmes sulmeve të tyre të pamatura.”
Sulmet e rebelëve Houthi kanë ndërprerë tregtinë në rrugët detare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke detyruar shumë kompani të ndryshojnë rrugët e anijeve në drejtim të rrugëve më të gjata dhe më të shtrenjta./ VOA
Amerika e provoj bashke me anglezet duke i bombarduar ata por duke pare qe nuk kishte asnje lloj efikasiteti tani po perdor stilin e kombeve te bashkuara qe ata nuk i kane respektuar kurre vendimet e tyre , me pak fjale gringove po ju iken situata nga duart pak nga pak , nuk jane me padronat e botes aq e kishin fuqine
Përgjigju