SHBA, mbikëqyrje të shtuar ndaj kompanisë Boeing, audit linjës së prodhimit të avionëve

12 Janar, 21:17| Përditesimi: 12 Janar, 21:21

  • Share

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) do të fillojë auditin e prodhimit të avionëve Boeing dhe do të rrisë mbikëqyrjen ndaj kësaj kompanie, pasi një panel u shkëput nga trupi i një avioni gjatë fluturimit javën e kaluar. Ky ishte incidenti më i fundit për kategorinë më të rëndësishme të avionëve të kompanisë Boeing.

Agjencia e mori këtë vendim vetëm një ditë pasi njoftoi fillimin e hetimeve nëse kompania Boeing pati marrë masat e duhura për t’u siguruar se paneli që u shkëput ishte prodhuar dhe montuar sipas projektit të miratuar nga agjencitë rregullatore.

FAA-ja tha të premten se do të fillojë auditin e linjës së prodhimit të avionëve Boeing 737 Max 9, si dhe të kompanive që furnizojnë pjesët e këmbimit, “me qëllim vlerësimin e zbatimit nga Boeing-u të procedurave në fuqi për kontrollin e cilësisë”.

Deklarata thotë se FAA do të studiojë pasojat për sigurinë nga delegimi i kompentencave të inspektimit nga kjo agjenci tek punonjësit e kompanisë, si dhe do të shqyrtojë mundësinë e transferimit të këtyre kompetencave tek një palë e tretë e pavarur.

“Është koha për të rishqyrtuar delegimin e autoritetit dhe për të vlerësuar rreziqet e mundshme ndaj sigurisë”, tha në një deklaratë administratori i FAA-së, Mike Whitaker. “Ndalimi i fluturimit për avionët 737-9 dhe problemet e shumta të prodhimit të identifikuara gjatë viteve të fundit na detyrojnë të shohim të gjitha opsionet e mundshme për ta shmangur rrezikun”, tha zoti Whitaker, i cili u konfirmua nga Senati si drejtuesi i ri i FAA-së në muajin tetor.

Agjencia gjithashtu tha se do të shtojë monitorimin e incidenteve të avionëve 737-Max që ndodhin kur avioni është në përdorim.

Kompania Boeing tha të enjten se do të bashkëpunojë me hetimin e FAA-së, që përqëndrohet tek panelet që vendosen për të plotësuar boshllëqet e krijuara në trupin e avionëve Boeing 737 Max 9, në vend të dyerve për të cilat nuk nevojitet më përdorimi si dalje emergjence.

Një nga dy panelet e vendosura tek avioni i kompanisë ajrore Alaska Airlines u shkëput në ajër një javë më parë kur avioni ishte nisur nga Portland, Oregon, duke lënë kështu bosh një hapësirë të madhe në trupin e avionit. Kabina humbi presionin e ajrit dhe avioni u detyrua të rikthehet në Portland për të bërë një ulje emergjence. Nuk u raportuan lëndime serioze.

Pas incidentit, FAA-ja urdhëroi ndalimin e fluturimit për të gjithë avionët Max 9 që patën të instaluar panele të tillë, duke i detyruar kështu kompanitë Alaska Airlines dhe United Airlines që të ndërpresin fluturimet. Avionët vazhdojnë të mos përdoren, ndërsa Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transporteve (NTSB) dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA) vazhdojnë me hetimet e tyre.

Pasi avioni humbi presionin e ajrit, FAA-ja mësoi edhe për probleme të tjera të avionëve 737-9. Kompania Alaska Airlines dhe kompania United Airlines raportuan se kanë gjetur vida të pashtrënguara në panelet që inspektuan në disa avionë të tjerë Max 9.

Hetuesit e NTSB-së thanë këtë javë se nuk kishin arritur të gjenin katër vidat që përdoren për të siguruar panelin me peshë prej rreth 28.5 kilogramësh. Ata gjithashtu nuk janë të sigurtë nëse vidat kishin qenë të vendosura përpara se të nisej avioni.

Më herët këtë javë, drejtori ekzekutiv i kompanisë Boeing, David Calhoun, e përshkroi incidentin si një mangësi në procesin e kontrollit të cilësisë. Ai u tha punonjësve se kompania “po e pranon gabimin... dhe kjo ngjarje nuk mund të përsëritet kurrë më”.

Panelet instalohen nga kompania e nënkontraktuar nga Boeing-u, Spirit AeroSystems. Hetuesit nuk kanë thënë se punonjësit e cilës kompani punuan për herë të fundit me instalimin e vidave tek avioni i Alaska Airlines që pësoi dëmin.

Me urdhërin e FAA-së ditën pas incidentit, është pezulluar përdorimi i 65 avionëve të përdorur nga kompania ajrore Alaska Airlines, si dhe të 79 avionëve të kompanisë United Airlines, deri në momentin kur kompania Boeing të ketë hartuar udhëzimet për inspektimet dhe avionët të jenë ekzaminuar. Alaska Airlines anuloi të gjitha fluturimet me avionët Max 9 deri të shtunën.

Incidenti në avionin e linjës Alaska Airlines është më i fundit ndër një seri incidentesh për kompaninë Boeing, duke filluar që nga viti 2018, kur ndodhën brenda katër muajve rrëzimet e para të dy avionëve Max 8 në Indonezi dhe në Etiopi. Nga këto përplasje humbën jetën 346 persona.

Justin Green, një avokat që përfaqëson familjet që kanë paditur kompaninë Boeing për rrëzimin e avionit në Etiopi, tha se ishte i kënaqur që FAA urdhëroi me shpejtësi ndalimin e fluturimit të avionëve Max 9 pas incidentit në Oregon.

Avionët Max 8 dhe Max 9 u ndaluan në të gjithë botën për gati dy vite pas rrëzimit të dytë. Që atëherë, defekte të ndryshme prodhimi kanë penguar herë pas here daljen në treg të avionëve Max dhe të një avioni më të madh, Boeing 787. Muajin e kaluar, kompania u kërkoi linjave ajrore të inspektonin avionët e tyre Max për një vidë të lirë në sistemin e kontrollit të timonit.

Çështja e delegimit të autoritetit të inspektimit nga FAA tek punonjësit e kompanisë Boeing u shqyrtua shumë kur Kongresi hetoi përplasjet e avionëve të vitit 2018./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?