SHBA, mijëra njerëz në Minneapolis për të përkujtuar George Floyd! BE: Kina dhe Rusia po nxisin protestat...Paditet presidenti Trump (VIDEO)

5 Qershor 2020, 09:09| Përditesimi: 5 Qershor 2020, 13:54

  • Share

Mijëra njerëz u mblodhën në Minneapolis, në Minesota, për të kujtuar George Floyd, 46-vjeçarin afrikano-amerikan i vrarë nga policia dhe që është bërë simbol i racizmit në SHBA. Ceremonia është zhvilluar në Minneapolis teksa protestat po vazhdojnë në Shtetet e Bashkuara, por në një mënyrë kryesisht paqësore, refleksion pas arrestimit të katër agjentëve të policisë të përfshirë në vrasje

Në Minneapolis përkujtimi midis këngëve dhe kujtimeve

Anëtarë te familjes, miq, bashkëqytetarë dhe protestues  bënë homazhe rreth trupit te George Floyd në North Central University, ndërsa muzikantët dhe këngëtarët performuan këngë shpirtërore, duke i alternuar me kujtimet e atyre që e njohën, ndërsa në sfond ndodhej një fotografi e madhe e viktimës.

Brenda sallës ku u zhvillua ceremonia u lejuan vetëm rreth 500 persona, për shkak të kufizimeve prej pandemisë nga koronavirusi. Ndër të ftuarit ishin aktorët dhe komedianët Kevin Hart, Tiffany Haddish dhe Regina Hall; aktori dhe producenti Tyler Perry; aktivistët e Martin Luther King III si dhe Guvernatori i Minesotës, Tim Walz.

Kreu i kishës, Reverend-i Al Sharpton, gjatë fjalës së tij tha se tani: Është koha të hiqni gjunjët tuaj nga qafat tona” dhe se Trump “nuk mund të përdorë biblën si një mjet propagandistik". Pastaj të pranishmit në ceremoni u ngritën në këmbë dhe mbajtën heshtje për 8 minuta e 46 sekonda, aq sa koha që afrikano amerikanit iu mbajt gjuri I policit në qafë përpara se të vdiste.

Ceremonitë përkujtimore  do të mbahen në tre qytete të tjera gjatë gjashtë ditëve. Trupi i Floyd së pari do të dërgohet  të shtunën në Raeford, në Karolinën Veriore, në vendlindjen e tij, për një ceremoni të madhe publike dhe më pas një tjetër ceremoni private familjare kurse të martën ceremonia do të mbahet në  të martën në kishën Fountain of Praise. 

Mësuesi: "Ai donte të ishte gjyqtar"

"Kur të rritem unë dua të bëhem gjyqtar i Gjykatës Supreme. Njerëzit do të më drejtohen me fjalët ‘shkëlqesi e nderuar’, do të godas me çekiçin e drurit tavolinën në sallën e gjyqit dhe të gjithë do heshtin”. Janë këto disa rreshta të shkruara nga Floyd në klasën e dytë fillore dhe që iu shpërndanë shtypit nga ish mësuesja e tij Ëaynel Sexton e cila tha: "Si mund ta dinim që ai djalë i vogël tetë vjeçar që kur të rritej donte të ishte gjyqtar, 38 vjet më vonë, do të kishte humbur jetën e tij për shkak të mungesës së drejtësisë në Amerikë.

Merkel kundër Trump

Edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel gjithashtu iu bashkua korrit të dënimeve për vrasjen e Floyd nga policia. Merkel, duke iu përgjigjur pyetjes së ZDF, nëse stili i Donald Trump po kontribuon në ndarjen e shoqërisë amerikane, tha që "Unë besoj se stili politik i Trump është shumë i diskutueshëm".

"Shoqëria është shumë e polarizuar," tha kancelarja. "Aspirata ime në politikë është gjithmonë të përpiqem t'i mbaj njerëzit së bashku", shtoi ajo, duke theksuar se "racizmi është diçka e tmerrshme".

Protestat

Aktakuzat e reja ndaj agjentëve të policisë në Minneapolis i kanë dhënë fund një jave protestash  që kanë derivuar në dhunë, vandalizëm, shkatërrime dhe plaçkitje. Vetëm në Minneapolis, janë vandalizuar më shumë se 2200 ndërtesa dhe 55 milion dollarë dëme si dhe janë arrestuar mbi 10,000 protestues, kurse disa vdekje janë duke u hetuar nëse kanë patur apo jo lidhje me protestat

Ora 09:41
Kush qëndron pas dhunës në protestat për George Floyd në SHBA?

Protestat e këtyre ditëve në të gjithë Shtetet e Bashkuara kanë qenë kryesisht paqësore, me pjesëmarrjen e njerëzve me prejardhje të ndryshme racore nga të gjitha sferat e jetës, të rinj e të moshuar. Ato kanë përfshirë nëna të cilat frikësohen se ajo që ndodhi me George Floydin, një afrikano-amerikan që vdiq ndërsa ishte ndaluar nga policia, mund t’i ndodhë fare mirë djemve të tyre. Por shumë prej netëve që nga vdekja e George Floydit, kanë qenë të ndryshme, mbushur me dhunë të shfrenuar, zjarrvënie, vandalizëm e përleshje me policinë. Gjithashtu ka pasur incidente të izoluara kur është qëlluar ndaj policisë. Nga ana e tyre, protestuesit fajësojnë policinë për taktikat e ashpra dhe thonë se ata thjesht po mbrojnë veten e tyre.

Presidenti Donald Trump dhe disa prej zyrtarëve të lartë të administratës së tij akuzojnë për aktet e dhunës, provokatorë “të së majtës radikale”. Prokurori i Përgjithshëm William Barr e ka drejtuar gishtin tek “grupet ekstremiste të majta”, përfshirë Antifa-n, një rrjet grupesh autonome të majta që zbatojne praktika përplasjeje për të arritur qëllimet e tyre politike.

Disa guvernatorë demokratë nga ana e tyre kanë fajësuar grupet e ekstremit të djathtë, duke vënë theksin edhe tek një njoftim i kësa jave nga gjigandi i medias sociale “Twitter” se kishte pezulluar për nxitje të dhune, një llogari të lidhur me një grup nacionalistësh të bardhë të quajtur, “Identity Evropa”. Llogaria ishte krijuar me një profil të rremë të Antifa-s dhe ishte e lidhur me llogari të tjera false që furnizonin vazhdimisht me informacione false e provokuese, duke akuzuar autoritetet dhe kompanitë që ofrojnë shërbimin e internetit për censurimin e lajmeve që lidheshin me protestës.

“Facebook-u” njoftoi gjithashtu këtë javë se kishte pezulluar disa llogari të lidhura me grupe të bardha nacionaliste, pasi ato nxisnin njerëzit që të sillnin armë në protesta. Ndërkohë, anëtarët e të ashtuquajturës lëvizja “Boogaloo”, një grup amorf i ekstremit të djathtë e të majtë, janë parë të marrin pjesë në protesta në disa shtete, përfshirë Minesotën, Teksasin dhe Pensilvaninë, veshur këmisha me motive të Havait, shenjë identifikuese e tyre. Disa përkrahës të “Boogaloo” janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë të supremacistëve të bardhë të quajtur “accelerationists” të cilët janë pro trazirave civile dhe dëshirojnë të nxisin polarizimin e dhunshëm politik, duke shpresuar se do të përfundojë me rrëzimin e rendit aktual politik të SHBA.

Ora 09:20
Vdekja e Floydit, Donald Trump paditet nga shoqatat e të drejtave civile

Unioni i Lirive Civile Amerikane, një nga organizatat më të mëdha të të drejtave civile amerikane, dhe organizata ‘Black Lives Matter’ kanë paditur Presidentin Donald Trump dhe Ministrin e Drejtësisë William Barr për shkeljen e të drejtave kushtetuese të demonstruesve jashtë Shtëpisë së Bardhë, ndaj të cilëve u përdor gazi lotsjellës.

Policia amerikane përdori ndaj protestuesve edhe dhunë për të shmangur protestuesit dhe të lejonte Trump të shkonte më këmbë në kishën e Shën Gjonit nga kua ai kërcënoi se do të nxirrte ushtrinë në rrugë, me arsyetimin, sic tha ai, ‘për të vendosur rregullin dhe ligjin’.

Ora 09:18
Vdekja e Floyd-Alarmi i BE: Kina dhe Rusia po shfrytëzojnë protestat



Propaganda e bazuar në lajme të rreme nga organe dhe aktorë që i atribuohen udhëheqjes politike të Kinës dhe Rusisë nuk ka mbaruar.

Këtë herë, në shënjestër janë përplasjet mes policisë, gardës Kombëtare dhe protestuesve ne Minneapolis të SHBA.

Ndërhyrjet ruse dhe kineze kanë për qëllim të ndikojnë në zgjedhjet amerikane në muajin nëntor si dhe ana tjetër të forcojnë pozitat e Vladimir Putin dhe Xi Jinping përballë problemeve të tyre të brendhshme.

Kështu ka deklaruar EuVsDisinfo, njësia speciale e shërbimit të jashtëm të Komisionit Evropian që monitoron informacionet e rreme që prekin Perëndimin teksa përpiqen për të destabilizuar autoritetet e tij.

Pas muajsh në të cilat propaganda ishte përqëndruar në Covid 19, tani duket se po kalohet në Shtetet e Bashkuara pas vrasjes së afrikano amerikanit George Floyd. Rusia, shkruajnë ekspertët evropianë, përdor dy narracione të ndryshme, një për qëllime të jashtme dhe një për qëllime të brendshme. Nga njëra anë, po përpiqet të shfrytëzojë protestat për të krijuar përçarje dhe të ndikojë në zgjedhjet amerikane, nga ana tjetër, me lajme të rreme për përdorim të brendshëm pro-Putin.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?