SHBA njeh kandidatin e opozitës si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë

2 Gusht, 07:38| Përditesimi: 2 Gusht, 07:40

  • Share

Qeveria e Shteteve të Bashkuara njohu të enjten kandidatin e opozitës Edmundo González si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë.

“Bazuar në të dhënat është e qartë për Shtetet e Bashkuara dhe më e rëndësishmja, për popullin venezuelian se Edmundo González Urrutia fitoi shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës më 28 korrik”, tha në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Autoritetet zgjedhore në Venezuelë kanë shpallur fitues Presidentin Nicolás Maduro, një rezultat që opozita, anketues të pavarur dhe qeveri të huaja e kanë vënë në pikëpyetje.

Këshilli Kombëtar Zgjedhor deklaroi si fitues të zgjedhjeve Maduro, por kundërshtari i tij Gonzales dhe udhëheqësja e opozitës Maria Corina Machado kanë deklaruar se të dhënat e numërimit të votave tregojnë se fitues është kandidati opozitar.

Sipas tyre, bërja publike e të dhënave të tabelave të numërimit të votave do të provonte humbjen e Maduro.

Njoftimi nga qeveria amerikane erdhi në mes të përpjekjeve diplomatike për të bindur Maduro që të bëjë publike të dhënat dhe mes thirrjeve të shtuara për një rishikim të pavarur të rezultateve, sipas zyrtarëve nga Brazili dhe Meksika.

Të enjten, qeveritë e Brazilit, Kolumbisë dhe Meksikës shpërndanë një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje autoriteteve zgjedhore të Venezuelës të "bëjnë publike me shpejtësi" të dhënat e hollësishme të votimit.

Zgjedhjet e kontestuara kanë çuar në protesta vdekjeprurëse që Presidenti Maduro dhe aleatët e tij në ushtri i kanë cilësuar si një përpjekje për grusht shteti.

Organizata Human Rights Watch tha të mërkurën se kishte marrë njoftime për 20 të vdekur në demonstratat paszgjedhore.

Të enjten, Presidenti Maduro njoftoi arrestimin e 1200 protestueve dhe tha se në kërkim ishin 1000 të tjerë./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?