Numri i viktimave nga përmbytjet që goditën Teksasin qendror të premten është rritur në mbi 100 viktima dhe shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, raporton BBC. Ekipet e kërkim-shpëtimit po ecin nëpër brigjet e lumenjve të mbushura me baltë, por shpresa për të gjetur të mbijetuar të tjerë po shuhet katër ditë pas katastrofës.
Kampi Mystic, një kamp veror vetëm për vajza të krishtera, konfirmoi se të paktën 27 vajza dhe stafi ishin midis të vdekurve. 10 vajza dhe një këshilltar i kampit janë ende të zhdukur. Të paktën 84 nga viktimat, 56 të rritur dhe 28 fëmijë, vdiqën në Qarkun Kerr, ku lumi Guadalupe doli nga shtrati para agimit të së premtes.
Rreth 22 të rritur dhe 10 fëmijë ende nuk janë identifikuar, thanë autoritetet. Parashikuesit e motit kanë deklaruar se mund të ketë më shumë stuhi, duke sjellë potencialisht më shumë përmbytje të menjëhershme në rajon.
Kritikët e administratës Trump janë përpjekur ta lidhin katastrofën me mijëra shkurtime vendesh pune në agjencinë mëmë të NWS, Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u shpreh në një konferencë për mediat të hënën:"Ky ishte një akt i Zotit’.
"Nuk është faji i administratës që përmbytja ndodhi kur ndodhi, por pati paralajmërime të hershme dhe të vazhdueshme dhe, përsëri, Shërbimi Kombëtar i Motit bëri punën e vet."
Trump, i cili pritet të vizitojë Teksasin më vonë këtë javë, kundërshtoi kur u pyet të dielën nëse shkurtimet e qeverisë federale kishin penguar reagimin ndaj katastrofave.
Një aktiviste lokale, Nicole Ëilson, ka ngritur një peticion ku bën thirrje për vendosjen e sirenave të përmbytjeve në Qarkun Kerr, diçka që është vendosur në qarqe të tjera. Një sistem i tillë është debatuar në Qarkun Kerr për gati një dekadë, por fondet për të nuk janë ndarë kurrë.
Komente
