Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, është zgjedhur kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në raundin e 15-të. Nga 428 vota të hedhura, McCarthy mori 216 dhe Hakeem Jeffries i demokratëve mori 212.
Nëpunësja e Dhomës së Përfaqësuesve Cheryl Johnson u shpreh: "Kevin McCarthy, ka marrë shumicën e votave të hedhura dhe zgjidhet Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve".
Në fjalimin e tij të parë si kryetar i Dhomës, Kevin McCarthy u tha kolegëve të tij: "Tani fillon puna e vështirë".
“Ajo që ne bëjmë këtu sot, javën tjetër, muajin tjetër, vitin e ardhshëm, do të vendosë fokusin për gjithçka që vijon”, shtoi ai.
"Si kryetar i Dhomës, përgjegjësia ime përfundimtare nuk është ndaj partisë sime, por ndaj vendit tonë”.- tha McCarthy
Republikanët janë zotuar të nisin hetime për Biden, administratën e tij dhe biznesin e familjes së tij.
Megjithatë presidenti demokrat Joe Biden uroi kryeparlamentarit të ri republikan.
“Populli amerikan pret që udhëheqësit e tyre të qeverisin në një mënyrë që i vendos nevojat e amerikanëve mbi gjithçka tjetër, dhe kjo është ajo që ne duhet të bëjmë tani”, thotë Biden në një deklaratë.
“Siç thashë pas afatit të mesëm, unë jam i përgatitur të punoj me republikanët kur të mundem dhe votuesit e bënë të qartë se presin që republikanët të jenë të përgatitur të punojnë edhe me mua. Tani që udhëheqja e Dhomës së Përfaqësuesve është vendosur, është koha që ai proces të fillojë."- tha Biden.