Kjo është historia e një çifti në SHBA të cilët pas 18 vitesh përpjekje për tu bërë prindër, më në fund arritën të realizonin ëndrrën e tyre përmes inteligjencës artificiale.
Çifti, kishte kaluar nëpër më shumë se 15 cikle të dështuar të fertilizimit in vitro (IVF) në qendra të specializuara në të gjithë botën. Por diagnoza e rrallë e bashkëshortit, azoospermia, një gjendje ku nuk ka asnjë spermë të dukshme në lëngun seminal, ua kishte mbyllur të gjitha rrugët.
Pas humbjes së çdo shprese, ata vendosën të provojnë për herë të fundit në Columbia University Fertility Center, ku një teknologji e re e quajtur STAR (Sperm Tracking and Recovery) po testonte kufijtë e mjekësisë riprodhuese.
Çfarë është STAR?
STAR është një sistem i avancuar që përdor kamera ultra të shpejta dhe inteligjencë artificiale për të skanuar miliona imazhe mikroskopike dhe për të gjetur qeliza të gjalla të spermës që janë praktikisht të padukshme për syrin e njeriut. Në rastin e këtij çifti, pas më shumë se dy ditësh kërkimi pa rezultat nga teknikët, AI arriti të identifikojë 44 spermatozoidë të gjallë brenda një ore, mjaftueshëm për të realizuar fertilizimin in vitro.
“Çdo mëngjes zgjohem dhe më duket sikur është një ëndërr,” tha gruaja, teksa fëmija pritet të lindë në dhjetor.
Rreth 10% e burrave me probleme fertiliteti diagnostikohen me azoospermi, dhe deri më tani opsionet e tyre ishin shumë të kufizuara, shpesh duke përfshirë ndërhyrje kirurgjikale të dhimbshme dhe të pasigurta. Tani, falë STAR, miliona çifte në të njëjtën situatë mund të kenë një alternativë më të sigurt, më të shpejtë dhe më efektive.
Kjo teknologji për momentin është e disponueshme vetëm në SHBA, por ekspertët thonë se qëllimi është që ajo të përhapet në të gjitha qendrat kryesore të fertilitetit në botë.
Komente
