Ambasada e SHBA-së në Kosovë thotë se dëshiron që të ecë përpara me qeverinë në detyrë, por shtoi se ka nevojë për një partner të përkushtuar dhe që kupton nevojën për evitimin e veprimeve destabilizuese. Kjo deklaratë vjen pak ditë pasi SHBA pezulloi pa afat dialogun strategjik me Kosovën.
Në një përgjigje të dhënë për Kohën, ambasada tha se e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, i ka shprehur shqetësimet dhe qëndrimet e SHBA-së gjatë takimeve të rregullta që ka pasur me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Duke rikonfirmuar se SHBA-të mbeten pranë Kosovës, ambasada thekson gjithashtu se do të vlerësojnë veprimet e qeverisë në detyrë për të ndërmarrë veprime të mëtejshme.
“SHBA-ja gjithmonë do të jetë mike e afërt e popullit të Kosovës, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, SHBA-ja i nxitë partnerët të punojnë në mënyrë konstruktive për ta siguruar stabilitetin dhe sigurinë. Ne duam të ecim para me qeverinë e përkohshme, por na duhet një partner që kupton nevojën për t’i evituar veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe të mbrojë të drejtat e gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë t’i vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë. Nuk kemi asgjë për të shtuar në këtë pikë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Më 12 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin pezulluar dialogun strategjik për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë, që sipas amerikanëve, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë për të punuar për prioritetet e përbashkëta. Ky veprim ngjalli reagime të shumta nga opozita, duke e konsideruar si një goditje të rëndë ndaj Kosovës dhe qeverisë së Kurtit.
Komente
