Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar pa afat dialogun me Kosovën. Lajmi është bërë zyrtarisht i ditur nga ambasada amerikane në Prishtinë.
Për pezullimin e dialogut, SHBA akuzon qeverinë Kurti, që është ende në detyrë.
Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se Qeveria Kurti ka rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë me veprimet e saj.
"Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e tyre Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri i Përkohshëm Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Pas këtij vendimi të SHBA-së të njoftuar nga ambasada në Prishtinë, reagoi edhe Qeveria e Kosovës përmes zëdhënësit të saj Përparim Kryeziu.
Ky i fundit shprehet se Qeveria Kurti është e vetmja që ka arritur të çojë deri në fund mandatin, teksa ka theksuar se stabiliteti që ekziston në vend është fryt i sundimit të ligjit.
Sipas Kryeziut, gjatë qeverisjeve të mëparshme në Kosovë, stabiliteti ka qenë i gënjeshtërt, kjo doli në pah, sipas tij, gjatë sulmit në Banjskë në maj të vitit 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur "keqardhje dhe shqetësim të thellë" lidhur me vendimin e Shteteve te Bashkuara për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik.
"Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës", shkroi Osmani.
Kosova dhe SHBA-ja pritej ta finalizonin dialogun strategjik këtë vit, pasi presidentja Osmani pati njoftuar në janar për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për një dialog të tillë.
Ambasada amerikane tha të premten se dialogu strategjik ishte menduar për t'i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe atij të Kosovës.
"Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij të Kosovës. Shpresojmë të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme. Ne e dimë se ky është një qëllim i prioritizuar nga populli i Kosovës", shkroi ambasada.
Pse SHBA-ja vendosi ta pezullojë nisjen e këtij dialogu me Kosovën?
Pasojat për Kosovën shkaku i veprimeve të Qeverisë në detyrë kohëve të fundit veçse u paralajmëruan të premten më herët, nga e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, e cila tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë Kurti.
Ajo kishte thënë se SHBA-ja po e shqyrtonte përgjigjen e saj, duke shtuar “por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”.
Javët e fundit, Kurti - i cili është njëkohësisht udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje - dhe zyrtarë të tjerë të partisë, përfshirë nënkryetarin Glauk Konjufca, e kanë kritikuar Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime deri më 30 shtator, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re, deri në zgjedhjen e nënkryetarit serb.
Çfarë është dialogu strategjik?
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
Foto: Albin Kurti dhe Shqiprim Arifi
Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovës për shkak të Qeverisë Kurti në detyrë.
Arifi, në një postim në Facebook, ka theksuar se ekzekutivi në detyrë i Lëvizjes Vetëvendosje mund të argëtohet Kosovën dhe pjesët tjera ku ka shqiptarë, por nuk mund ta bëjë këtë me ShBA-në.
“Mund të luash me Luginën e Preshevës, me Maqedoninë e Veriut, madje edhe me vet Kosovën e popullin e saj, por jo me ShBA-në!”, ka thënë Arifi.
“Propozim i shpejtë: Me që qeveria i dha surprizë politike popullit dhe dialogu strategjik u shty, tani mund ta shtoni në menynë e ditës edhe ‘Çorbën e Krizës’!”, ka theksuar Arifi.
Dialogu ShBA-Kosovë ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por si pasojë e Albin Kurtit, këto janë parë si sfida për përparim.
Foto: Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj
Duket se vendimi i ShBA-së për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, ka bërë bashkë liderët e tri partive ish-opozitare për takim në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë.
Siç raportojnë mediat në Kosovë, Memli Krasniqi i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së kanë pasur takim me përfaqësues amerikanë rreth orës 15:00.
Ky takim po mbahet pak kohë pasi ShBA-ja njoftoi për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën “për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e Qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”, siç u tha në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së.
Foto: Memli Krasniqi
Edhe dy partitë më të mëdha parlamentare në Kosovë pas Vetëvendosjes së Kurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thanë se ndihen të “shqetësuara” me pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik Kosovë-SHBA.
PDK-ja tha se mbajti mbledhje për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë vendimin e Shteteve të Bashkuara.
“Partia Demokratike e Kosovës ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, një proces i cili ishte menduar të forconte marrëdhëniet tona ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes”, tha PDK në një njoftim për media.
Ajo theksoi se ky zhvillim i “rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se suspendimi i dialogut të planifikuar strategjik paraqet “pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran”.
“Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës”, tha Abdixhiku.
Ai bëri thirrje për tu “bashkuar të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë - para se të bëhet vonë për të gjithë”.
Në anën tjetër, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi në Facebook në lidhje me këtë vendim se Kosova “po i kalon ditët më të errëta në historinë e vet”.
“Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën”, shkroi ai.
Haradinaj tha se i fton “të gjitha forcat politike dhe gjithë shoqërinë kosovare që urgjentisht të reflektojmë për situatën në të cilën gjendemi”.
Foto: Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pas vendimit të SHBA për pezullimin pa afat për dialogun me Kosovën.
Në deklaratë Osmani shprehet se do të angazhohen maksimalisht që bisedimet të rifillojnë sa më shpejt, teksa thekson se bashkëpunimi me SHBA-në është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes.
Deklarata e plotë:
Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve.
Dialogu Strategjik u iniciua nga Presidentja në vitin 2021, përmes një propozimi të adresuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i Presidentes u rikonfirmua në qershor 2022, me anë të notës verbale dhe gjatë takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, në korrik të po atij viti.
Pas punës së jashtëzakonshme të ekipit të Presidencës dhe të Departamentit të Shtetit, ky proces u finalizua me konfirmimin përfundimtar në takimin mes Presidentes Osmani dhe Departamentit të Shtetit, në janar 2025.
Çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot.
Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë.
Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i këtij bashkëpunimi. Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë pezulluar pa afat dialogun, duke Qeverinë Kurti për veprimet që ka ndërmarrë.
Në një reagim në Facebook, Kryeziu shprehet se Qeveria Kurti është e vetmja që ka çuar deri në fund pa ndërprerje mandatin. Si rezultat, thotë Kryeziu, gjatë qeverisjes së Kurti për shkak të sundimit të ligjit është arritur stabiliteti që ekziston sot në Kosovë.
Ai shprehet se gjatë qeverisjeve të mëparshme ka patur stabilitet të gënjeshtërt në Kosovë, dhe kjo doli në pah, sipas tij, gjatë sulmit në Banjskë në maj të vitit 2023.
Reagimi i plotë i Përparim Kryeziut, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovë:
Reveria jonë ka qenë e para që ka përmbushur mandatin e plotë që nga shpallja e pavarësisë. Kjo i ka kontribuar stabilitetit institucional dhe zhvillimit socio-ekonomik të vendit, përkundër gjitha sfidave globale që kemi përjetuar nga viti 2021 e tutje, përfshirë këtu pasojat e pandemisë, krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë.
Veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji e luftim krimi e korrupsioni në gjithë territorin e Kosovës. Në të kaluarën, stabiliteti është synuar në kurriz të sundimit të ligjit dhe rendit publik, rrjedhimisht kemi pasur stabiliteti të rrejshëm. Kjo është dëshmuar më së miri në ngjarjet dhe protestat e dhunshme të majit të vitit 2023 në të cilat individë dhe grupe kriminale nuk kursyen as pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it në sulmet e tyre. Ndërkaq sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë në shtator të po atij vitit, me përfshirjen e drejtpërdrejt të shtetit të Serbisë, e ka shpërfaqë para të gjithë botës se kush dhe ku në fakt është burimi i destabilitetit në rajon. Shprehim bindjen tonë të thellë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon.
Ne e kemi depolitizuar integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës. Vullneti i bashkëqytetarëve tanë për integrim nuk ka munguar asnjëherë. Por ai shpesh ka qenë i sfiduar e i shtypur nga struktura ilegale e grupe kriminale. Ne jemi përballur me strukturat e Serbisë në Kosovë jo me serbët e Kosovës. Asnjëherë nuk i kemi barazuar qytetarët serb në Kosovë me strukturat ilegale e paralele të Serbisë në Kosovë. Përkundrazi, ne i kemi mbrojtur dhe i mbrojmë bashkëqytetarët tanë serb nga po këto struktura që për shumë gjatë janë përdorur si mekanizma dhe instrumente frikësimi, kërcënimi e kontrolli. Në të njëjtën kohë, duke i zëvendësuar ato me institucionet të Republikës së Kosovës jemi siguruar që nuk ka vakuum të shërbimeve. Gjithashtu jemi angazhuar për integrim të qëndrueshëm të serbëve në shoqërinë dhe institucionet tona, sidomos nëpërmjet punësimit dhe arsimit, siç është rasti me masën për punësim për banorët e katër komunave në veri të vendit dhe verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut me qëllim lehtësimin e punësimit të bashkëqytetarëve nga radhët e komunitetit serb, krahas masave të tjera e të shumta sociale nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt pjesëtarët e këtij komuniteti.
Sa i përket kritikave publike të kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese, është qëndrimi i tij i hapur se me vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese e ka cënuar karakterin demokratik të Republikës së pavarur, dhe se me joefikasitetin e saj në trajtimin e lëndëve është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive politike opozitare për të vonuar reformat themelore të paraparë në programin qeverisës. Rikujtojmë se aktualisht janë 18 ligje ende pa ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë në pritje të shqyrtimit të paktën qe 9 muaj, me theks te Ligji për Fondin Sovran që është pa përgjigje më shumë se 1 vit e 8 muaj.
Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona.
Komente

Albin Serbia ,ky agjent antishqiptar ,të ndiqet penalisht për TRADHËTI .
PërgjigjuOpozita në Kosovë duhet të bashkohen dhe të ngrihen kundra Kurtit dhe qeverisë së tij të ndyrë.Në qoftë se SHBA tërheq forcat e KFOR Serbia për 24 orë e pushton Kosovën.
Përgjigju