Foto ilustruese

SHBA/ Propozim ambicioz i demokratëve për reformimin e sistemit të imigracionit

19 Shkurt 2021, 08:04| Përditesimi: 19 Shkurt 2021, 08:07

  • Share

Reformimi i sistemit amerikan të imigracionit, të kritikuar gjerësisht, për një kohë të gjatë ka qënë një çështje që presidentët e të dyja partive nuk kanë mundur ta realizojnë. Tani, me një shumicë të vogël të demokratëve në të dyja Dhomat e Kongresit, Presidenti Joe Biden po fillon një përpjekje për të trajtuar statusin ligjor të miliona emigrantëve pa dokumenta, duke përdorur vrullin e 100 ditëve të tij të para në detyrë. Nisma përkrahet nga disa mbështetës të tij të rëndësishëm Kongres.

"Ne kemi një obligim ekonomik dhe moral për të miratuar një reformë të madhe, të guximshme dhe gjithëpërfshirëse të imigracionit që nuk lë askënd jashtë", tha të enjten senatori demokrat Bob Menendez, në paraqitjen e Aktit të Shtetësisë Amerikane 2021.

Siç përshkruhet nga administrata Biden, legjislacioni i gjerë do të siguronte rrugë për nënshtetësinë për 11 milionë emigrantë, përfshirë ata me Statusit të Mbrojtur të Përkohshëm, punëtorët emigrantë të fermave dhe njerëzit pa dokumente të sjellur në Shtetet e Bashkuara si fëmijë, të ashtuquajturit ëndërrimtarët.

Senatori Mendez, bashkë-sponsor i projektligjit, ka punuar në çështjet e imigracionit për 30 vjet. Ai tha se kjo i solli kujtime nga dështimet e kaluara në këtë proces.

"Shpesh, ne kemi bërë shumë kompromise dhe kemi kapitulluar shumë shpejt ndaj zërave të paktë që kanë refuzuar të pranojnë njerëzimin dhe kontributet e emigrantëve në vendin tonë dhe kanë hedhur poshtë gjithçka, pa marrë parasysh se sa domethënëse kjo është në aspektin e sigurisë kombëtare", u tha ai gazetarëve të enjten.

Përpjekjet e ish-presidentit amerikan Donald Trump për të përmbushur një premtim fushate për "të ndërtuar një mur” përgjatë kufirit SHBA-Meksikë për të parandaluar kalimet e paligjshme e mbajti çështjen eimigracionit në qendër të vëmendjes në Kongres gjatë gjithë presidencës së tij. Mbyllja më e gjatë e pjesshme e qeverisë në historinë e Shteteve të Bashkuara u shkaktua nga kërkesa e zotit Trump për 5.7 miliardë dollarë në fonde për ndërtimin e murit kufitar. Në fund, zoti Trump nënshkruajti projektligjin për shpenzimet qeveritare që i dha fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, që përfshiu 1.3 miliard dollarë për ndërtimin e murit. Në vitin 2013, gjatë administratës së Presidentit Demokrat Barack Obama, një grup dypartiak i përbërë nga 8 senatorë negocioi një marrëveshje emigracioni që u miratua në Senat me mbështetjen dypartiake. Por projektligji, nuk u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga Republikanët dhe nuk u bë ligj. Një përpjekje e hershme dështoi gjithashtu gjatë administratës së Presidentit George W. Bush.

Senatori Menendez ishte një nga ata tetë senatorë në grupin dypartiak në 2013. Ai u tha gazetarëve të enjten se Presidenti Biden ka përvojën për të hartuar një marrëveshje me republikanët, të cilët do të kërkojnë rritjen e fonde për sigurinë e kufirit në këmbim të legalizimit të emigrantëve.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka kaluar 36 vjet në Senat. Unë mendoj se ai e kupton se çfarë duhet negociuar”, tha senatori Menendez. "Realiteti është se ne tashmë shpenzojmë më shumë para për Patrullën Kufitare sesa për të gjitha agjencitë e tjera federale të zbatimit të ligjit së bashku."

Legjislacioni ka shumë pak mundësi për t’u miratuar në formën e tij aktuale, duke patur parasysh qëllimin e tij dhe nevojën e demokratëve për të marrë mbështetjen e të paktën 10 republikanëve për të garantuar miratimin e tij në Senat.

Senatori republikan Chuck Grassley kritikoi zotin Biden para se ai madje të betohej, duke thënë në një deklaratë se “amnistia masive pa masa mbrojtëse dhe pa kushte nuk mund të shërbejë si një pikënisje. Siç kemi parë më parë, kjo qasje inkurajon vetëm shkelje të mëtejshme të ligjeve tona të imigracionit."

Republikanët në komisionin Jurdik dhe atë të Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kritikuar gjithashtu administratën e Presidentit Biden për përmbysjen e politikave kufizuese të emigracionit të administratës Trump, duke i quajtur ato veprime si të rrezikshme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të padrejtë për punëtorët amerikanë. “Ky propozim i hapur politik shpërblen ata që shkelën ligjin, vërshon tregun e punës në një kohë kur miliona amerikanë janë pa punë, nuk arrin të sigurojë kufirin dhe stimulon imigracionin e mëtejshëm të paligjshëm. Propozimi radikal i Presidentit Biden nuk është një pikënisje dhe duhet të refuzohet nga Kongresi”, tha republikani i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, në një deklaratë të lëshuar të enjten. Një skenar shumë më i mundshëm është që propozimi të ndahet në pjesë më të vogla legjislacioni që mund të miratohen pas negociatave dypalëshe dhe atyre mes dy dhomave të Kongresit.

“Ata e kanë provuar këtë shumë herë vetëm për të mësuar se projektligjet e mëdha, me mijëra faqe thjesht nuk funksionojnë; ato vdesin nga pesha e tyre në Kongres", i tha Zërit të Amerikës Lora Ries, eksperte për sigurinë në Fondacionin Heritage.

"Unë mendoj se ata do të ishin shumë më të suksesshëm nëse do të miratonin projektligje individuale, por ka edhe një çështje besueshmërie, palët nuk i besojnë njëra-tjetrës, duke dëshiruar të miratojnë vetëm atë që ata duan. Dhe kjo është arsyeja pse këto projektligje kanë prirje të dështojnë."

Gjatë një takimi me qytetarët të transmetuar nga rrjeti CNN të martën, Biden tha se ai do të ishte i hapur për nënshkrimin e një projektligji për reformimin e sistemit të imigracionit që nuk përfshinte një rrugë drejt shtetësisë për të trajtuar çështje të tjera në sistem.

"Ka një gamë të tërë gjërash që lidhen me imigracionin", tha Presidenti Biden. Disa elementë të legjislacionit mund të paraqesin gjithashtu mundësi për negociata me republikanët.

"Unë kam patur biseda me kolegë tanë të ndryshëm republikanë", tha senatori Menendez të enjten. “Shumë prej tyre kanë interes në pjesë të ndryshme të projektligjit. Shumë prej tyre janë përfaqësues të shteteve me sektor të madh bujqësor, kështu që ata janë të interesuar për elementët (e projektligjit) për punëtorët e fermave, të tjerët vijnë nga zona të teknologjisë së lartë, dhe janë të interesuar për mundësitë e vizave."

Por, Presidenti Biden gjithashtu duhet të jetë i kujdesshëm me krahun më progresiv të partisë demokrate, e cila do ta nxisë atë të përdorë kapitalin politik të javëve të tij të para në detyrë për të siguruar ndryshime gjithëpërfshirëse.

Në një telefonatë me gazetarët të enjten, Kryetarja e Grupit Progresiv të ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve, Pramila Jayapal vlerësoi administratën e Presidentit Biden për synimin për të përfshirë një gamë të gjërë çështjesh në projektligj dhe tha se anëtarët e lëvizjes progresive ishin të gatshëm të përdornin çdo mundësi të mundshme legjislative për të bërë sa më shumë reforma që të jetë e mundur.

"Paketa e fuqishme e imigracionit është një hap i parë shumë i rëndësishëm dhe unë pres që të punoj me kolegët e mi, si brenda dhe jashtë sallave të Kongresit, për t’u siguruar që ne të jemi të përqëndruar tek ëndërrimtarët, punëtorët e fermave, punëtorët thelbësorë dhe imigrantët që janë thelbi i projektligjit", tha ajo.

Sipas një sondazhi të organizatës kërkimore Pew të zhvilluar në qershor të vitit 2020, tre të katërtat e të rriturve amerikanë favorizojnë sigurimin e statusit të përhershëm ligjor për emigrantët e sjellë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht kur ishin fëmijë. Mbështetja është më pak e fuqishme për legalizimin e të gjithë emigrantëve pa dokumenta si dhe për rritjen e mëtejshme të sigurisë kufitare./ VOA

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?