Foto ilustruese

Politikë
Bota

SHBA propozon garanci deri në 15000 dollarë për viza turistike e biznesi! Nisma mund të prekë edhe aplikantët shqiptarë

4 Gusht, 23:24| Përditesimi: 4 Gusht, 23:27

  • Share

Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka propozuar një program pilot 12-mujor që mund t’u kërkojë aplikantëve për viza biznesi dhe turistike të depozitojnë një garanci financiare deri në 15,000 dollarë për të hyrë në vend. Kjo nismë, e cila vjen në një kohë kur administrata po shtrëngon kërkesat për vizat, mund ta bëjë procesin e aplikimit të papërballueshëm për shumë njerëz, përfshirë edhe shqiptarët.

Në një njoftim që pritet të publikohet zyrtarisht në Regjistrin Federal, Departamenti i Shtetit shpjegon se programi pilot do të synojë shtetasit e vendeve që konsiderohen me “norma të larta tejkalimi të lejes së qëndrimit” dhe me kontrolle të brendshme të sigurisë së dokumenteve që konsiderohen të mangëta. Aplikantët nga këto vende mund të detyrohen të depozitojnë një garanci prej 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarësh kur aplikojnë për vizë.

Ky propozim shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e administratës, e cila ka ndërmarrë edhe masa të tjera kufizuese. Vetëm javën e kaluar, Departamenti i Shtetit njoftoi se shumë aplikantë për rinovimin e vizave do t’i nënshtrohen një interviste shtesë ballë për ballë, diçka që nuk ka qenë e detyrueshme më parë. Gjithashtu, po propozohet që aplikantët për programin e Lotarisë së Diversitetit të Vizave të kenë pasaporta të vlefshme nga vendi i tyre i shtetësisë.

Në njoftimin paraprak, shpjegohet se programi i ri ka për qëllim të sigurojë që qeveria amerikane të mos jetë përgjegjëse financiarisht nëse një vizitor nuk i përmbahet kushteve të vizës së tij.

“Të huajt që aplikojnë për viza si vizitorë të përkohshëm për biznes ose kënaqësi dhe që janë shtetas të vendeve të identifikuara nga departamenti si vende me norma të larta qëndrimi të tepërta pas vizave, ku informacioni i shqyrtimit dhe verifikimit konsiderohet i mangët, ose që ofrojnë shtetësi me investim, nëse i huaji ka marrë shtetësi pa kërkesë qëndrimi, mund t’i nënshtrohen programit pilot”, thuhet në njoftim.

Vlen të theksohet se, ndonëse garancitë për vizat janë propozuar edhe më parë, ato nuk janë zbatuar asnjëherë në praktikë. Departamenti i Shtetit ka shprehur më parë shqetësimet për vështirësitë administrative dhe keqkuptimet që mund të shkaktohen te publiku.

Lista e vendeve që do të preken nga ky propozim nuk është bërë ende publike, por pritet të përfshijë shtete me numër të lartë individësh që qëndrojnë në SHBA pas skadimit të vizës. Ky propozim nuk do të prekë qytetarët e vendeve të regjistruara në Programin e Heqjes së Vizave, si dhe mund të hiqet për individë të tjerë në varësi të rrethanave të tyre. /AP/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?