Bota

SHBA/ Protestat kundër bastisjeve ndaj emigrantëve në Los Angeles, Garda Kombëtare sulmon protestuesit! Përdoren shkopinj dhe gaz lotsjellës

9 Qershor, 07:19| Përditesimi: 9 Qershor, 07:35

  • Share

Në ditën e dytë të tensioneve pas bastisjeve kundër emigrantëve, me qindra persona që iu kundërvunë agjentëve të zyrës së emigracionit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, urdhëroi dërgimin e dy mijë rezervistëve të Gardës Kombëtare me detyrën për të shtypur protestat. Të parët, rreth treqind trupa, u vendosën në tre zona të qytetit, ku përplasjet kishin nisur që të premten. Fillimisht në qendër të qytetit, pranë Hollywood-it, më pas tensionet u zhvendosën të shtunën në Paramount, një zonë me shumicë hispanike. Në rrugë, të dielën, ishin të dukshme karroceritë e makinave të djegura gjatë përplasjeve, ndërsa në ajër ndjehej ende era e gazit lotsjellës të hedhur gjatë natës.

Sipas ekipit të CNN që ndodhej në vendngjarje, policia goditi disa persona me shkopinj gome dhe hodhi tymuese në përpjekje për të shpërndarë turmën. Një gazetare e ANSA-s raportoi se kishte parë Gardën Kombëtare që qëllonte me plumba gome në nivelin e syve dhe të këmbëve ndaj protestuesve. Pesëqind marinsa janë gati të dislokohen në Los Anxhelos me urdhër të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Ushtarët e Gardës Kombëtare, të pajisur me uniforma luftarake, patrulluan në Metropolitan Detention Center, ku janë të ndaluar disa emigrantë të konsideruar të paligjshëm.

Është hera e parë që nga viti 1965 që një president dërgon ushtrinë pa kërkesën e një qeverie shtetërore. Gjashtëdhjetë vite më parë ishte Lyndon Johnson, por ai ndërhyri për të mbrojtur të drejtat civile gjatë marshimeve në Alabama, ku protestues paqësorë kërkonin të drejtën e votës për afro-amerikanët. Klima tani është ndryshe. Kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, e rriti edhe më shumë tensionin, duke njoftuar se kishte vendosur në gatishmëri njëqind marinsa të vendosur në jug të Los Anxhelosit. “Nën presidentin Trump – shkroi sekretari i Mbrojtjes – dhuna dhe shkatërrimi kundër agjentëve dhe pronës federale nuk do të tolerohen”. “Nëse dhuna vazhdon – shtoi ai – do të mobilizohen edhe marinsat në shërbim aktiv në Camp Pendleton, që tashmë janë në gatishmëri të lartë”.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i quajti këto deklarata “sjellje të paekuilibruara”. Më herët ai kishte kritikuar vendimin “qëllimisht nxitës” të Trump-it, dhe e akuzoi presidentin se “po kërkon spektakël, jo sepse mungojnë forcat e rendit”. Shtëpia e Bardhë e akuzoi Newsom-in për “përtaci”. “Nuk mund të besoj që mediat po flasin sërish për ‘protesta kryesisht paqësore’ – shkroi presidenti në Truth – Këto janë kryengritje të pushtuesve të huaj që valëvitin krenarisht flamujt e vendeve të tyre të origjinës. Mjaft me këto marrëzira”.

“Cari i kufirit”, Tom Homan, i thirrur për të udhëhequr politikën e dëbimit të emigrantëve të paligjshëm, deklaroi për NBC se Newsom dhe kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, kanë “krijuar një strehë për kriminelët” dhe hodhi mundësinë që ata mund të arrestohen nëse “na pengojnë të kryejmë operacionet”. “Protestoni në mënyrë paqësore”, deklaroi më pas Newsom në një apel drejtuar popullatës.

Korrespondenti i Shtëpisë së Bardhë për ABC News, Terry Moran, u pezullua pasi kishte postuar në X një koment kritik ndaj Trump, duke e quajtur atë “një urrejtës me famë botërore”. Në rrjetet sociale, baza MAGA e përkrahu vijën e ashpër dhe deklaroi se “të gjithë ata që sulmojnë forcat e rendit dhe ndërtesat qeveritare janë kryengritës”, ndonëse kjo ishte e njëjta bazë që nuk reagoi fare kur Trump fali 1500 vetë që kishin sulmuar në emër të tij Kongresin në vitin 2021.

Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU) e quajti këtë “abuzim me pushtetin”. “Administrata Trump – deklaroi zëdhënësja Hina Shamsi – po minon në mënyrë të pamatur parimin tonë demokratik themelor, sipas të cilit ushtria nuk duhet të veprojë si polici ndaj civilëve”.

Gjendja e tensionuar pritet të zgjasë të paktën deri në korrik. Sipas deputetes demokrate nga Kalifornia, Nanette Barragan, Zyra e Emigracionit synon të kryejë bastisje kundër emigrantëve në Los Anxhelos edhe për tridhjetë ditë të tjera./La Repubblica

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si iu duket situata e trafikut në vend?