Matt Gaetz

SHBA/ Republikani Matt Gaetz heq dorë nga oferta e Trump për Prokuror të Përgjithshëm

21 Nëntor, 19:08| Përditesimi: 21 Nëntor, 19:24

  • Share

Republikani Matt Gaetz, ka tërhequr kandidaturën e tij për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, të propozuar nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, pas kundërshtimeve nga disa senatorë republikanë, mbështetja e të cilëve do t’i duhej për të siguruar këtë pozicion.

Gaetz, i cili dha dorëheqjen nga posti i tij në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar, po përballet me një hetim nga Komisioni i Etikës për akuza që lidhen me marrëdhënie seksuale me një vajzë 17-vjeçare, të cilat ai i ka mohuar kategorikisht.

Ndërsa disa senatorë republikanë kishin shprehur shqetësime për kandidaturën e tij, asnjëri prej tyre nuk kishte deklaruar hapur se do ta kundërshtonte.

Senatorja republikane Cynthia Lummis tha se largimi i Gaetz nga gara i jep Presidentit Trump mundësinë për të zgjedhur një kandidat tjetër për Prokuror të Përgjithshëm, i cili do të hasë më pak kundërshtime në Senat.

CNN raporton se  Trump e ka lavdëruar Matt Gaetz, për vendimin e tij.

“E vlerësoj shumë përpjekjen e Matt Gaetz për t’u emëruar Prokuror i Përgjithshëm. Ai ishte duke e bërë shumë mirë, por, në të njëjtën kohë, nuk donte të ishte një shpërqendrim për Administratën, të cilën e respekton shumë. Matt ka një të ardhme të ndritur dhe mezi pres të shoh të gjitha sukseset që do të arrijë!” shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Ekipi i tranzicionit të Trump tha se ai “mbetet i përkushtuar për të zgjedhur një udhëheqës për Departamentin e Drejtësisë, i cili do të mbrojë fort Kushtetutën dhe do të ndalë keqpërdorimin e sistemit të drejtësisë.”

Në një deklaratë, Karoline Leavitt, zëdhënëse e ekipit të tranzicionit Trump-Vance, tha se Trump do të njoftojë kur të ketë bërë një zgjedhje tjetër.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?