Ligjvënësi Al Green duke ndërprerë fjalimin e Presidentit Donald Trump në Kongres (4 mars 2025)

Bota

SHBA/ Rezolutë për të dënuar ligjvënësin që ndërpreu fjalën e Presidentit Trump

6 Mars, 19:41| Përditesimi: 6 Mars, 19:43

  • Share

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të enjten një rezolutë për të dënuar sjelljen e ligjvënësit demokrat Al Green, i cili ndërpreu fjalimin e Presidentit Donald Trump përpara Kongresit .

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson urdhëroi largimin e ligjvënësit Green nga salla plenare gjatë pjesës së parë të fjalimit të Presidentit Trump mbrëmjen e së martës. Ligjvënësi Green u ngrit në këmbë dhe protestoi me zë të lartë, pasi Presidenti Trump tha se zgjedhjet e 5 nëntorit i kishin dhënë një mandat të gjerë.

“Nuk ke mandat”, tha ligjvënësi nga Teksasi i cili nuk u ndal edhe pasi Kryetari Johnson i tha të ulej.

Ligjvënësit republikanë vepruan me shpejtësi për ta dënuar veprimin e ligjvënësit Green, nëpërmjet hartimit të një rezolute që mbetet si një dokument zyrtar për sjelljen e kolegut të tyre. Kur miratohet një rezolutë e tillë me votat e shumicës, ligjvënësit në fjalë i kërkohet të qëndrojë në mesin e sallës plenare, ndërsa drejtuesi i seancës i lexon rezolutën.

Votimi për rezolutën ishte përgjithësisht sipas linjave partiake, me 224 vota pro dhe 198 kundër.

Ligjvënësi Green, tashmë në mandatin e tij të 11-të, nuk u pendua të mërkurën kur shpjegoi veprimet e tij. Përpara se të fliste në mbrojtje të tij nga salla e Dhomës së Përfaqësuesve, ai kaloi në anën republikane të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i shtrëngoi dorën ligjvënësit Dan Newhouse që hartoi rezolutën. Ligjvënësi Green tha se nuk fajëson Kryetarin Johnson ose ata që e kishin shoqëruar jashtë sallës.

"Miq, do ta bëja përsëri", tha ligjvënësi Green.

Ai i shpjegoi veprimet e tij duke thënë se Presidenti Trump kishte thënë se kishte fituar një mandat nga votuesit. Por ligjvënësi Green tha se Presidenti Trump nuk ka një mandat për të shkurtuar programin e sigurimit shëndetësor Medicaid, program tek i cili mbështeten shumë nga votuesit e tij.

“Është çështje parimore. Është çështje ndërgjegjeje”, tha ligjvënësi Green. “Ka njerëz që vuajnë në këtë vend sepse nuk kanë siguracion shëndetësor”.

Presidenti Trump ishte shprehur javën e kaluar kur u pyet për programin federal të siguracionit shëndetësor se: “Nuk do ta prekim”./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket vendimi i qeverisë për të mbyllur me një vit Tik Tok?