Bota

SHBA, rrëzohet avioni mjekësor me 6 persona në Filadelfia, në bord ishte dhe një paciente 12-vjeçare! U përplas me shtëpi e makina, shpërtheu në flakë (VIDEO+ FOTO)

1 Shkurt, 07:39| Përditesimi: 1 Shkurt, 09:36

  • Share

FILADELPIA - Një tjetër aksident ajror ka ndodhur në SHBA, vetëm dy ditë pas përplasjes së një avioni pasagjerësh me një helikopter ushtarak mbi Uashington, ku humbën jetën 67 persona.

Një avion mjekësor, i cili transportonte një paciente 12 vjeçare dhe pesë persona të tjerë, të gjithë me shtetësi meksikane, u rrëzua të premten mbrëma (31 janar me orën lokale)  në një lagje në verilindje të Filadelfias. Avioni shpërtheu në flakë duke djegur disa shtëpi dhe makina.

Sipas Sekretarit të ri të Transportit, Sean Duffy, në avion ndodheshin të paktën gjashtë persona dhe ishte në një mision mjekësor. Kompania pronare e avionit ka deklaruar se ende nuk ka konfirmime për të mbijetuar, ndërsa autoritetet raportojnë për disa të plagosur në tokë për shkak të përplasjes së avionit me shtëpitë e makinat. 

Burime të tjera i thanë CBS Neës se mbetjet e avionit goditën disa automjete në zonë, një lagje e populluar me shumë shtëpi të bashkangjitura. Pas aksidentit, shumë rrugë u mbyllën.

Aksidenti ndodhi më pak se 5 kilometra larg Aeroportit të Filadelfias Verilindore, i cili shërben kryesisht për avionë biznesi dhe fluturime çarter. Fotot dhe videot nga vendngjarja tregojnë disa shtëpi në flakë. Zjarrfikësit konfirmuan se disa ndërtesa u përfshinë nga flakët e shkaktuar nga rrëzimi i avionit, në zonën mes Cottman Avenue dhe Roosevelt Boulevard.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, reagoi në rrjetin e tij social Truth, duke thënë: "Shpirtra të pafajshëm u humbën në këtë aksident tragjik."

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) konfirmoi se avioni ishte një Learjet 55 dhe se në bord ndodheshin gjithsej gjashtë persona. Sipas mediave lokale, në avion udhëtonin një pilot, një mjek, një anëtar tjetër i ekuipazhit dhe një fëmijë i sëmurë, i shoqëruar nga një i rritur.

Avioni ishte nisur drejt Aeroportit Kombëtar Springfield-Branson në Missouri. FAA dhe NTSB do të hetojnë shkaqet e aksidentit.

Të dhënat e fluturimit tregojnë se avioni i vogël u ngrit në orën 18:06 me kohën lokale dhe u zhduk nga radarët rreth 30 sekonda më pas, pasi ishte ngjitur në një lartësi prej pothuajse 500 metrash. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit. Guvernatori Josh Shapiro deklaroi se është në kontakt me kryebashkiakun dhe ekipet e shpëtimit:

"Po ofrojmë të gjitha burimet e mundshme për të ndihmuar," tha ai.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një shpërthim të fuqishëm dhe një re të dendur tymi që ngrihet nga vendi i aksidentit, pranë një qendre tregtare të frekuentuar.

Ky aksident ndodhi vetëm dy ditë pas përplasjes së një avioni të linjës me një helikopter ushtarak pranë Aeroportit Kombëtar Reagan në Uashington, ku humbën jetën 67 persona – 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit të avionit, si dhe tre ushtarakë që ndodheshin në helikopterin Sikorsky H-60.

S.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bim: 01/02/2025 08:27

    Jam I sigurt qe presidenti Trap ka me sjell aq terrs ne te gjithe Ameriken. E mbaj mend edhe Berlusconin keru ne Itali duke thene po te mos ishte 11 shtatori, po mos te na ndodhte termini do te kishim bere gjera te medha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha planifikon të shpërbëjë SPAK nëse fiton më 11 maj, çfarë mendoni?