Vinnytsia, Ukrainë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan se Moska po planifikon sulme në infrastrukturë dhe objekte qeveritare në ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Kjo vjen në kohën kur Rusia bombardoi rajonin e Zaporizhias ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë, ku luftimet e fundit kanë shkaktuar frikën e një incidenti katastrofik bërthamor. Dita e Pavarësisë së Ukrainës është më 24 gusht, kur njëkohësisht bëhen gjashtë muaj prej kur nisi pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 23 gusht se forcat ruse vazhduan të lëshonin raketa dhe predha artilerie në qytetet ukrainase, duke goditur Nikopol, Krivyi Rih dhe Synelnykovsky, të gjitha afër uzinës bërthamore të Zaporizhjas.
Në deklarata të ndara, ambasada e SHBA-së në Kiev dhe një zyrtar amerikan paralajmëruan për planet ruse për të goditur infrastrukturën civile dhe qeveritare ditët në vijim. Një zyrtar amerikan paralajmëroi se Rusia po planifikon të nisë së shpejti sulme të reja kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës.
“Ne kemi informacione se Rusia po shton përpjekjet për të nisur sulmet kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës në ditët në vijim”, citohet të ketë thënë zyrtari i paidentifikuar për Reuters.
“Duke pasur parasysh historikun e Rusisë në Ukrainë, ne jemi të shqetësuar për kërcënimin e vazhdueshëm që sulmet ruse paraqesin për civilët dhe infrastrukturën civile”, tha zyrtari, duke shtuar se deklarata e tij bazohej në disa informacione të inteligjencës së SHBA-së.
Paralajmërimi i tij erdhi pasi autoritetet ukrainase ndaluan festimet publike në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në shënimin e 31 vjetorit t pavarësisë nga sundimi sovjetik, duke përmendur se ka rrezik të shtuar për sulme nga Moska.
Lajmi kryesor:
Lufta në Ukrainë, Zelensky njofton nismën e re për të forcuar lidhjet me vendet e Evropës Lindore dhe Baltike
D.GJ/ReportTv.al