Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka nëpërmjet një postimi në rrjete sociale ka reaguar pas sanksionimit të kryeministrit të Bosnjë Hercegovinës Fadil Novalliç nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës.
Ajo ironizon duke thënë që kryeministri të ’tërheqë këmbën’ dhe për të tjerët.
“Tërhiqe këmbën, o Fadil!
Edhe fadilëve tanë do t’u vijë ora shpejt, ndoshta e dinë prandaj sikur i ka zënë nervoza kohët e fundit. Patronazhistin tim, Blendi Gj, dikush e urdhëroi të më numëronte hapat, kafshatat dhe kafetë. Edhe të dhënat e mia, si qytetare shqiptare, dikush i grabiti për partinë që vodhi zgjedhjet e 25 prillit të kaluar. Qeveri si ndërtim pa leje - e ardhur me vota të vjedhura.
Parlament si ngrehinë mafioze - e mbushur me kriminelë me pushtet, që vjedhin vullnete. Shqipëri si peizazh fajtor - nuk është më pronë e shqiptarëve, por e oligarkëve.
Ndaj pastë këmbën e mbarë në sanksionet e Zyrës Amerikane të Thesarit ndaj Kryeministri i Bosnjë Hercegovinës, Fadil Novaliç! Edhe ky, Fadili, përdori të dhënat e qytetarëve të tij për pushtet.
Shih rrushi rrushin e kalbur e rrudhu Shqipëria!” , shkruan Açka në Facebook.
Kryeministri i Federatës të Bosnjë e Hercegovinës, Fadil Novalliç dhe Sllobodan Stanoviç një biznesmen i lidhur me liderin e serbëve të Bosnjës janë sanksionuar nga SHBA. Më 3 tetor, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit tha se këta dy persona janë sanksionuar për shkak të minimit të institucioneve demokratike “për përfitime personale dhe për të shpërblyer rrjetet e tyre të patronazhit”. Në deklaratën e DASH thuhej se kryeministri Fadil Novaliç, ka keqpërdorur të dhënat e pensionistëve për përfitimin e partisë së tij, duke shkelur ligjet e Bosnjë e Hercegovinës.