Vota e Zëvendëspresidentit J.D. Vance ishte e nevojshme për të miratuar projektligjin e shpenzimeve të kërkuar nga Trump në Senat, me qëllim avancimin e axhendës së tij ekonomike bazuar në shkurtimet monumentale të taksave. Mbetet për t’u parë nëse në fund do të rezultojë një fitore e Pirros, së pari sepse teksti tani shkon në Dhomën e Përfaqësuesve, ku shumica republikane është edhe më e vogël; së dyti, sepse masat që përmban, duke filluar me anulimin e një trilioni dollarësh të destinuar për shëndetin publik nga Medicaid, mund të mos i pëlqejnë bazës elektorale të lëvizjes Maga.
“Projektligji i Madh i Bukur”, siç e ka quajtur kreu i Shtëpisë së Bardhë, është në thelb “projektligji financiar” i Shteteve të Bashkuara. Trump e donte atë mbi të gjitha për uljet e taksave prej afërsisht 4.5 trilion dollarësh që përmban, midis atyre që do të rinovohen dhe atyre të reja. Problemi është se nuk ka mbulim, sepse në të njëjtën kohë nuk i ul shpenzimet publike me një sasi të mjaftueshme. Në fakt, sipas vlerësimeve nga Zyra e Buxhetit të Kongresit, ai do ta fryjë borxhin publik me 3.3 trilionë të tjerë gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Kjo e zemëroi Elon Musk, i cili ishte thirrur të drejtonte Doge-n për të ulur shpenzimet shtetërore, por tani e akuzon Trumpin se është sjellë si çdo politikan karriere, duke u kujdesur vetëm për interesat e tij dhe ato të miqve të tij.
Sipërmarrësi nga Afrika e Jugut, që presidenti tani kërcënon ta largojë, nuk ishte megjithatë i vetmi i pakënaqur. Një dhjetëshe senatorësh republikanë kishin shprehur rezerva dhe në fund tre votuan kundër: Rand Paul nga Kentucky, Thom Tillis nga Karolina e Veriut, dhe Susan Collins nga Maine. I pari sepse kërkonte mbulim financiar; i dyti sepse ishte kundër shkurtimeve në Medicaid, pra kujdesin shëndetësor për shtresat më të varfra, që në fund do të dëmtojnë bazën e re elektorale republikane në klasën punëtore; e treta sepse ishte mashtruar më parë për çështjen e abortit dhe tani donte që të pasurit të paguanin më shumë.
Përplasja zgjati tre ditë, për të bindur “dezertorët”, por në fund demokratët dhe republikanët dolën të barabartë. Për këtë arsye, Vance, që si nënpresident është edhe drejtues formal i Senatit, u detyrua të ndërhynte me votën vendimtare për miratimin.
Trump pra ka fituar, por tani teksti i kthehet Dhomës së Përfaqësuesve, ku Partia Republikane ka një shumicë të brishtë dhe disa disidentë kërcënojnë se nuk do të përkrahin tekstin e ri. Presidenti kërkon që miratimi të ndodhë deri të premten, festa e 4 Korrikut. Pastaj, nëse ia del, do të shihet se çfarë do të mendojnë votuesit e tij, që mund të ndihen të tradhtuar./La Repubblica
Komente
