John Thune

SHBA, senatorët republikanë zgjedhin Senatorin John Thune si kryetar të ardhshëm të tyre

13 Nëntor, 20:46| Përditesimi: 13 Nëntor, 20:48

  • Share

Senatorët republikanë zgjodhën kolegun e tyre John Thune për të udhëhequr këtë institucion vitin e ardhshëm, një senator i respektuar, që e njeh punën e institucionit nga brenda dhe duke i bërë ballë trysnisë publike nga përkrahësit e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të zgjedhur një udhëheqës që është treguar besnik ndaj tij.

Fitorja e senatorit nga Dakota e Jugut mes tre kandidatëve është një sinjal se Senati mund të ruajë një nivel pavarësie nga Presidenti Trump vitin e ardhshëm, kur republikanët të kenë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë, Senatit dhe ndoshta edhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Nga 100 vende në Senat, 52 i fituan republikanët. Ata pritet të kenë epërsi edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, ndonëse një numër garash zgjedhore ende nuk janë përcaktuar.

Senatori 63 vjeçar Thune konsiderohet si një institucionalist i balancuar dhe ligjvënës me përvojë, që ka marrëdhënie të afërta me shumë nga kolegët e tij republikanë. Ai do të zëvendësojë senatorin 82 vjeçar Mitch McConnell, që ishte edhe kryetari partiak që shërbeu më gjatë në historinë e Senatit amerikan. Ai u zgjodh për herë të parë në Senat në vitin 2004.

Senatori Thune ishte në garë për postin përballë Senatorit John Cornyn nga Teksasi, një institucionalist tjetër me përvojë dhe Senatorit Rick Scott nga Florida, një aleat i afërt i Trump, i cili gëzonte përkrahje nga njerëz me ndikim jashtë institucioneve, siç është miliarderi Elon Musk.

Kjo situatë i shndërroi zgjedhjet që zakonisht nuk marrin vëmendje në një provë të hershme të pavarësisë së Senatit ndaj Trump, i cili nuk ka mbështetur një kandidat të veçantë, por ka bërë thirrje që kryetari i ardhshëm republikan t’i mundësojë shmangien nga norma në seancat votimet për të emëruarit e kabinetit të tij, për të përshpejtuar konfirmimin e tyre. Që të tre kandidatët u treguan menjëherë të hapur ndaj kësaj ideje.

Disa nga përkrahësit më të zëshëm të Trump kanë shprehur shqetësimet se senatorët Thune dhe Cornyn, të cilët ishin bashkëpunëtorë të Senatorit McConnell, mund të jenë të rezervuar në gadishmërinë e tyre për të përmbushur premtimet e fushatës së Trump. Ata të dy kanë shërbyer për dy dekada në Senat, kanë qenë pjesë e miratimit të ligjeve të rëndësishme dhe kanë ndihmuar në zgjedhjen e republikanëve të tjerë. Senatori Scott, i cili u zgjodh për herë të parë në vitin 2018, është konservator i vijës së skajshme, që për dy mandate ishte guvernator i Floridës.

“Pa Rick Scott-in, i gjithë programi i reformave i (Presidentit të zgjedhur) Trump do të jetë i paqëndrueshëm”, shkroi në platformën X këshilltari i Trump, Robert F. Kennedy Jr.

Senatorët republikanë i rezistuan trysnisë. Detyra e udhëheqësit të shumicës në Senat, thotë ata, kërkon dikë që ka investuar kohë për të krijuar besim dhe përkrahje brenda grupit të ligjvënësve republikanë.

“Nuk mendoj që ia vlen që presidenti ta përdorë kapitalin e tij politik për të ndërhyrë në garë”, deklaroi Senatori Markwayne Mullin, mbështetës i Thune./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?