DASH shpall non grata tre zyrtarë nga Ballkani, mes tyre ish kryeprokuroren e Posaçme të Maqedonisë dhe ish kryetarin e Kaçanikut në Kosovë

18 Mars, 16:34| Përditesimi: 18 Mars, 20:22

  • Share

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata tre zyrtarë nga Ballkani. Bëhet fjalë për ish kryeprokuroren speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, kryetarin aktual të komunës së Karposhit në Maqedoninë e Veriut, Stevço Jakimovski dhe ish kryetarin e komunës së Kaçanikut në Kosovë, Xhabir Zharku.

Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhet se “veprimet e tyre dëmtuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse”.

Konkretisht për ish-kreun e komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, Dash specifikon se e ka shpallur non grata për shkak të përfshirjes së tij në akte korruptive.

“Gjatë detyrës së tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Zharku u përfshi në akte korruptive, duke përdorur pozitën e tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit, që në mënyrë të paligjshme të jepte leje për ndërtime në pronat komunale, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”, tha DASH-i.

Në njoftim thuhet se ish kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, ndërsa ishte në detyrë, ishte e përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar ndikimin e saj politik dhe pushtetin zyrtar për përfitime personale.

“Ka informacione të besueshme që zonja Janeva ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj”, thuhet në njoftim.

Kurse kryetari aktual të Karposhit të Maqedonisë së Veriut, Stevco Jakimovski sipas Dash "ishte përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar postin e tij zyrtar për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit. për të përfituar për veten dhe bashkëpunëtorët e tij."

DASH tha se ky vendim riafirmon përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të përforcuar institucionet demokratike në mbarë Ballkanin.

“DASH-i do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet që ka për të promovuar llogaridhënie për aktorët e korruptuar në rajon dhe botë”, u tha në njoftim.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?