Temperaturat e ulët, ngricat, dëbora dhe era e furishme kanë kapluar SHBA-në duke lenë miliona shtëpi pa energji elektrike, në te ftohtë, specifikisht në Teksas ku edhe u shpall gjendja e jashtëzakonshme.
Pavarësisht situatës mjaft të vështirë që po kalojnë qytetarët, gjestet e bashkëpunimit, solidarit dhe ndihmës ndaj njeri tjetrit nuk kanë munguar.
Ari Isufaj dhe Blinera Shurreca çifti me origjinë kosovare dhe pronarët e një restoranti me gatime italiane ne Teksas, së bashku me stafin e tyre prej 5 vetash kanë shërbyer mbi 500 vakte të ngrohta për të gjithë qytetarët të cilët ditët e fundit kanë “luftuar” me të ftohtin.
Përgatitjet për shpërndarjen e vakteve të ngrohta Isufaj i ka postuar edhe në rrjetin social të restorantit ku edhe ka shkruar se “Ne jemi të hapur për publikun, ne jemi këtu për të ndihmuar njerëzit që vërtet kanë nevojë për ne”.
Gjesti i çiftit shqiptar me origjinë nga Kosova është edhe një gjest mirënjohjeje pasi në kohën kur COVID-19 “shpërtheu” në vend dhe çdo gjë u paralizua ashtu si restoranti i tyre, njerëzit e mirë të Teksasit siç shprehen ata nuk e lanë atë të falimentonte.
“Restoranti jonë mbijetojë falë të gjithë njerëzve. Ajo që po bëjmë ne nuk është asgjë në krahasim me çfarë keni bërë ju për në! Ne po bëjmë të drejtën, duke ndihmuar komunitetin tonë, fqinjët tanë dhe klientët tanë të dashur, ashtu siç na keni ndihmuar ju!”, shkruan çifti kosovar përmes një postimi në faqen e Facebookut të restorantit.
Ari Isufaj di gjithçka lidhur me vështirësitë, pasi ai në vitin 1999, në moshën 14 vjeçare ka emigruar me xhaxhain e tij drejt SHBA-së, për një jetë më të mirë dhe sot ka biznesin e tij.