Bilanci i të shtënave në zyrën e ICE, Zyrës Anti Emigracion në Dallas është dy të vdekur dhe një i plagosur, përveç sulmuesit që ka kryer vetëvrasje. Sipas informacionit të dhënë nga Fox News, sulmuesi, një burrë i bardhë që qëndronte i pozicionuar në çatinë e një ndërtese pranë, ka qëlluar dhe vrarë dy të paraburgosur të qendrës dhe ka plagosur një tjetër para se të drejtohej me armën ndaj vetes dhe të kryente vetëvrasje pasi u rrethua nga policia.
«Informacionet paraprake flasin për një snajperist të mundshëm», tha Todd Lyons, drejtori i agjencisë federale, cituar nga CNN. “Aktualisht kemi tre persona të plagosur, të gjithë janë dërguar në spital”, tha ai.
Zëvendësdrejtorja e ICE në Dallas, Madison Sheahan, tha për Fox Neës se nuk ka agjentë federalë të plagosur duke shtuar se situata mbetet shumë e paqartë dhe motivi i sulmit nuk dihet ende. “Kemi parë shumë dhunë në qendrat e ICE dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh një sulm, madje edhe këtë vit ndaj një prej qendrave tona”, shtoi Sheahan.
Sulmi ndaj qendrës së ICE-së, që zakonisht përdoret për përpunimin e të paraburgosurve para transferimit në qendra të tjera, dhe që pak ditë më parë ishte paralajmëruar për një bombë të mundshme, ndodhi rreth orës 6 të mëngjesit sipas kohës lokale. Snajperi hapi zjarr ndaj të paraburgosurve që po përgatiteshin për transferim. Forcat e rendit u dërguan në vendngjarje pak para orës 7, pas një telefonate që njoftonte për të shtëna të mundshme. Policia reagoi në mënyrë masive, duke bllokuar autostradën pranë aeroportit tregtar në qytetin e Texasit.
“Sulmi obsesiv kundër forcave të rendit, veçanërisht ndaj ICE, duhet të ndalojë. Lutem për të gjithë të plagosurit në këtë sulm dhe familjet e tyre”, shkroi në X Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, duke iu përgjigjur Sekretares për Sigurinë e Brendshme, Kristi Noem, e cila në një postim tjetër kishte folur për rritje të episodeve të dhunës kundër zyrave të ICE menjëherë pas të shtënave.
//Corriere
Komente
