Donald Trump

Bota

SHBA tërhiqet nga bisedimet zyrtare për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë

2 Maj, 15:47| Përditesimi: 2 Maj, 15:52

  • Share

Shtetet e Bashkuara nuk do të veprojnë më si ndërmjetëse në negociatat për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, ka konfirmuar Departamenti i Shtetit, duke sinjalizuar një ndryshim në rolin e Uashingtonit në këtë konflikt.

Zëdhënësja e departamentit, Tammy Bruce, tha se SHBA po ndryshon “metodologjinë e kontributit të saj” në bisedime dhe nuk do të “udhëtojë më nëpër botë në çdo moment” për takime.

“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë, por nuk do të udhëtojmë më nëpër botë si ndërmjetës nëpër takime,” u tha znj. Bruce gazetarëve. “Tani u takon dy palëve — ka ardhur koha që ato të paraqesin dhe të zhvillojnë ide konkrete për t’i dhënë fund këtij konflikti. U takon atyre.”

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, paralajmëroi se lufta në Ukrainë nuk pritet të përfundojë së shpejti, duke theksuar se tani u përket Kievit dhe Moskës të arrijnë një marrëveshje. Duke folur për Fox News, z. Vance tha se Presidenti Trump kishte arritur t’i ulte të dyja palët në tryezën e bisedimeve, por se SHBA nuk do të udhëheqë më përpjekjet për të ndërmjetësuar paqen.

“Nuk po shkon askund... nuk do të përfundojë së shpejti,” tha ai. “Tani u përket atyre që të arrijnë një marrëveshje dhe t’i japin fund këtij konflikti të egër.”

Komentet vijnë ndërsa Kremlini ka shprehur gatishmërinë për bisedime të drejtpërdrejta, por ka refuzuar një propozim të fundit për paqe nga SHBA, duke argumentuar se ai nuk përfshinte njohjen ndërkombëtare të territoreve të pushtuara nga forcat ruse.

Ukraina, nga ana e saj, ka refuzuar vazhdimisht të njohë çdo aneksim nga Rusia, duke argumentuar se presidenti Vladimir Putin nuk duhet të shpërblehet për pushtimin e territorit sovran të saj.

Ky njoftim shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e SHBA ndaj luftës, pas paralajmërimeve se do të tërhiqej nga roli ndërmjetësues nëse nuk do të kishte përparim. Departamenti i Shtetit tha të martën se do të tërhiqej nëse nuk do të shihte “propozime konkrete” nga Kievi dhe Moska për t’i dhënë fund luftës. Kjo vjen pasi Rusia ndërmori sulmin më të madh ndaj Kievit që nga korriku i vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur 90 të tjerë, sipas zyrtarëve ukrainas.

Sulmi filloi rreth orës 1 të mëngjesit të enjten e kaluar dhe goditi të paktën katër lagje të Kievit, duke shkaktuar zjarre dhe duke zënë nën rrënoja banorë në ndërtesat e dëmtuara, njoftuan autoritetet.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?