Donald Trump

Bota

Trump ndalon udhëtimet në SHBA nga 12 vende, kufizon hyrjen nga 7 të tjera: Arsye sigurie! Pezullon dhe vizat për studentët e huaj në Harvard

5 Qershor, 08:03| Përditesimi: 5 Qershor, 10:12

  • Share

Donald Trump ka ndaluar ose kufizuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për qytetarët e 19 vendeve, përfshirë Kubën dhe Venezuelën, për “motive sigurie”. Vendimi vjen pas sulmit antisemit në Colorado, shpjegoi presidenti, i cili synon kështu të pengojë “hyrjen e qytetarëve të huaj që nuk i janë nënshtruar kontrolleve të duhura”.

Vendimi është shpallur së bashku me masa të tjera të bëra publike nga Shtëpia e Bardhë, e angazhuar në një event të lëvizjes MAGA me rreth 3 mijë të ftuar. Trump ka vendosur ndalim hyrjeje në SHBA për qytetarët e dymbëdhjetë vendeve, ka ndaluar vizat për studentët e huaj që ndjekin studimet në Harvard dhe ka urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të nisë një hetim për fshehjen e dyshuar të gjendjes shëndetësore të Joe Biden. Të gjitha këto masa u komunikuan nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa Trump u tha të ftuarve të tij: “Pothuajse e harrova këtë event sepse po merresha me Rusinë, Iranin, Kinën dhe të gjitha problemet që më kanë lënë. E dua lëvizjen MAGA, më pëlqen ajo që po bëjmë”.

Vendet e prekura nga ndalimi i hyrjes në SHBA

Vendet e prekura nga ndalimi i hyrjes në SHBA janë: Afganistani, Myanmari, Çadi, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Trump ka vendosur gjithashtu kufizime të pjesshme për qytetarët nga 7 vende të tjera: Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela.

Vendimi është marrë për “motive të sigurisë kombëtare”. Trump shpjegoi se ndalimi u vendos pas sulmit antisemit në Boulder, Colorado. Egjipti, vendi i origjinës së atentatorit Mohamed Soliman, nuk është përfshirë në listën e vendeve të ndaluara.

“Sulmi terrorist i fundit në Boulder, Colorado – tha presidenti në një mesazh video – nxori në pah rreziqet ekstreme që i kanosen vendit tonë nga hyrja e qytetarëve të huaj që nuk i nënshtrohen kontrolleve të duhura dhe që ndodhen ilegalisht në vend. Nuk i duam”, tha Trump, i cili krahasoi masat e reja me ndalimin e vendosur gjatë mandatit të tij të parë për disa vende kryesisht myslimane, që sipas tij parandaluan sulme në SHBA si ato që ndodhën në Evropë. “Nuk do të lejojmë që ajo që ndodhi në Evropë të ndodhë në Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai. “Nuk mund të kemi një migracion të hapur nga vende që nuk mund t’i verifikojmë dhe t’i kontrollojmë në mënyrë të sigurt dhe të besueshme”.

Akuzat ndaj Venezuelës dhe Kubës

Kuba është një “sponsor i terrorizmit” dhe qeveria kastriste “nuk bashkëpunon dhe nuk ndan informacion të mjaftueshëm” me SHBA-në, përveçse “ka refuzuar historikisht të pranojë qytetarët e saj” që janë dëbuar, thuhet në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë. Venezuela “nuk ka një autoritet qendror kompetent ose bashkëpunues për lëshimin e pasaportave apo dokumenteve civile dhe nuk ka masa të mjaftueshme për kontroll dhe verifikim”, theksohet në tekst.

“Udhëtimi drejt SHBA-së është një rrezik i madh për qytetarët venezuelianë – komentoi ministri i Brendshëm Diosdado Cabello në televizion – në të vërtetë, të jesh në SHBA është një rrezik i madh për këdo, jo vetëm për venezuelianët”.

Ndalohet dhënia e vizave për studentët e huaj në Harvard

Presidenti i SHBA ka shpallur gjithashtu ndalimin e dhënies së vizave për studentët e huaj që do të nisin studimet në Universitetin e Harvardit, duke forcuar më tej masat e administratës së tij ndaj arsimit të lartë.

“Kam vendosur – tha ai – se është e nevojshme të kufizohet hyrja e qytetarëve të huaj që synojnë të hyjnë në SHBA ekskluzivisht ose kryesisht për të ndjekur një kurs studimi në Universitetin e Harvardit apo për të marrë pjesë në një program shkëmbimi”.

"Kjo është një tjetër masë hakmarrëse e paligjshme e ndërmarrë nga administrata në shkelje të të drejtave të Amendamentit të Parë të Harvardit", tha një zëdhënës i universitetit. "Universiteti ynë do të vazhdojë të mbrojë studentët e tij ndërkombëtarë."

Hetimi për fshehjen e gjendjes shëndetësore të Biden

Sa i përket paraardhësit të tij, Trump ka urdhëruar nisjen e një hetimi ndaj rrethit të Joe Biden, të cilin e dyshon se ka “konspiruar” për të fshehur përkeqësimin e gjendjes së tij mendore dhe për të uzurpuar pushtetin. Sipas dokumentit të bërë publik nga ekzekutivi amerikan, presidenti i ka ngarkuar Këshillit të Shtëpisë së Bardhë detyrën për të “hetuar, brenda kufijve të ligjit, nëse disa individë kanë konspiruar për të gënjyer qytetarët për gjendjen mendore të Biden dhe për të ushtruar në mënyrë antikushtetuese detyrat dhe përgjegjësitë presidenciale”.

Hetimi për atë që republikanët e konsiderojnë si fshehje të përkeqësimit të shëndetit mendor të ish-presidentit “përbën – ka shkruar Trump në një memorandum – një nga skandalet më të rrezikshme dhe shqetësuese në historinë amerikane”.

Në veçanti, përdorimi i autopen-it - një pajisje mekanike e përdorur për të replikuar nënshkrimin autentik të një personi dhe e përdorur për dekada nga presidentët - e cila dyshohet se është përdorur për të nënshkruar falje presidenciale dhe dokumente të tjera - është kritikuar ashpër. Pa Biden-in, beson manjati, duke qenë në dijeni të kësaj sepse nuk është i aftë të marrë vendime.

“Qesharake – ka replikuar Biden – një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen për të kaluar një legjislacion katastrofik që shkurton programe jetike”. “Të jemi të qartë – deklaroi ai – kam marrë vendimet gjatë presidencës sime. Kam marrë vendime për faljet, urdhrat ekzekutivë, legjislacionin dhe dekretet. Çdo aludim se nuk i kam marrë vetë këto vendime është qesharak dhe i pavërtetë”./La Repubblica

Xh.K/Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?