SHBA - Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi të shtunën se do të dërgojë trupa ushtarake në qytetin e Portlandit, Oregon, të cilin e përshkroi si “të rrënuar nga lufta”, për të mbrojtur objektet e Imigracionit dhe Doganave (ICE), që sipas tij janë “nën rrethim” nga Antifa dhe “terroristë të tjerë të brendshëm”.
“Me kërkesë të Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, po i jap urdhër Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, të sigurojë të gjitha trupat e nevojshme për të mbrojtur Portlandin e rrënuar nga lufta, dhe çdo objekt që është nën sulm nga Antifa dhe terroristë të tjerë të brendshëm. Po autorizoj gjithashtu përdorimin e forcës së plotë, nëse është e nevojshme,” shkroi Trump në një postim në rrjete sociale.
Një zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Tricia McLaughlin, deklaroi se vendimi vjen pas “javësh të tëra trazirash të dhunshme në objektet e ICE” dhe sulmeve ndaj zyrtarëve të rendit.
“Nuk do të lejojmë që terroristët e brendshëm të Antifas të na pengojnë në misionin tonë për ta bërë Amerikën të sigurt. Ata që përpiqen do të mbajnë përgjegjësi,” shtoi ajo.
Kjo lëvizje përfaqëson një tjetër shembull të gatishmërisë së Trump për të përdorur ushtrinë në mënyra të pazakonta, në përpjekjen e tij për të reduktuar krimin në qytetet amerikane.
Ai kishte dislokuar më parë Gardën Kombëtare në Los Anxhelos dhe Uashington D.C., si dhe kishte kërcënuar me dislokimin e trupave në qytete të tjera të udhëhequra nga demokratët, si Baltimora dhe Çikago.
Ndërkohë, zyrtarë shtetërorë dhe vendorë, përfshirë senatorin amerikan Jeff Merkley, kryebashkiakun e Portlandit Keith Wilson, deputeten Maxine Dexter dhe anëtarë të këshillit bashkiak, bënë thirrje për qetësi në një konferencë për media të premten, pas shtimit të pranisë së agjentëve federalë në qytet.
“Presidenti ka dërguar agjentë këtu për të krijuar kaos dhe për të nxitur protesta e përplasje. Ai kërkon që Portlandi të duket ashtu siç ai e përshkruan. Detyra jonë është të mos biem në kurthin e tij”, tha Merkley.
Kryebashkiaku Wilson deklaroi të shtunën se nuk ka asnjë arsye për dërgimin e trupave dhe se presidenti “nuk do të gjejë as anarki e as dhunë këtu, përveç nëse ai vetë synon ta krijojë atë”.
Komente
