Bota

SHBA/ Trupat e parë të Gardës Kombëtare mbërrijnë në Los Angeles për të frenuar protestat kundër dëbimit të emigrantëve (VIDEO)

8 Qershor, 18:02| Përditesimi: 8 Qershor, 18:07

  • Share

SHBA - Los Angeles është përfshirë nga protesta gjatë fundjavës, pas bastisjeve të zhvilluara të premten nga autoritetet federale të emigracionit, ku të paktën 44 persona u arrestuan. Arrestimet janë pjesë e fushatës së ashpër të presidentit Donald Trump ndaj emigracionit, që ka përfshirë bastisje dhe deportime në shkallë të gjerë në të gjithë vendin.

Që nga e premtja, protesta shpërthyen në disa zona të qytetit, ndërsa në mbrëmjen e së shtunës, grupe protestuesish u mblodhën pranë një qendre ndalimi për emigrantët në Alameda.

Të shtunën, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe granata shurdhuese për të shpërndarë turmat në qytetin Paramount, Kaliforni. Disa protestues u ndaluan, por situata u përshkallëzua më tej pasi presidenti Trump njoftoi se po dërgonte 2,000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare, një pjesë e të cilëve ka mbërritur, për të vendosur rendin. Ai akuzoi autoritetet vendore për dështim në përballimin e trazirave dhe deklaroi se qeveria federale do ta “zgjidhë problemin".

Vendimi për dislokimin e Gardës Kombëtare u kundërshtua menjëherë nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili e quajti veprimin “qëllimisht provokues” dhe paralajmëroi se mund të përshkallëzojë më tej tensionet. Edhe kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, tha se nuk kishte asnjë provë se Garda Kombëtare ndodhej në terren, pavarësisht deklaratave të Trump që lavdëronin ndërhyrjen e tyre. Liga e Qytetarëve Latinë Amerikanë dënoi urdhrin e presidentit, duke e quajtur “një përshkallëzim të thellë shqetësues” në qasjen e administratës ndaj emigracionit dhe reagimeve civile.

Ndërkohë, edhe pas mesnate, grupe të vogla protestuesish vazhduan të mblidheshin pranë Qendrës së Paraburgimit Metropolitan në Alameda, duke bllokuar qarkullimin. Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të policisë për t’u shpërndarë, disa protestues u rikthyen në zonat e shpallura si “mbledhje të paligjshme” dhe u ndaluan nga LAPD, që njoftoi se disa prej tyre do të arrestohen dhe do t’u hapen procedura ligjore. Ende nuk dihet numri i saktë i të ndaluarve.

Departamenti i Sherifit të Los Angeles-it deklaroi për CNN se disa protestues qëndruan deri vonë dhe hodhën fishekzjarrë ndaj forcave të rendit, ndërsa oficerët formuan një vijë përplasjeje për të larguar turmën nga zona.

Ora 20:01
Protesta kundër dëbimit të emigrantëve në Los Angelos/Përplasjet e protestuesve me policinë përmes fotove

1749405826_proteste.JPG

Protesta kundër dëbimit të emigrantëve në Los Angeles është shndërruar në përplasje mes protestuesve dhe policisë. Dhjetëra persona dolën në rrugë për të kundërshtuar veprimet e ICE-së. Policia përdori masa të ashpra për të ndaluar tubimin dhe për të shpërndarë turmën. Pamjet treguan përplasje fizike dhe tensione të larta mes dy palëve.

Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në komunitetin lokal dhe kombëtar. Më poshtë do të shikoni foto që ilustrojnë trazirat e sotme në Los Angeles. Foto janë marrë nga Reuters.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?