Një punonjëse e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) është pushuar nga puna pasi kishte udhëzuar punonjësit që ndihmonin të mbijetuarit e uraganit të mos shkonin në shtëpitë me tabela mbështetëse për Presidentin e zgjedhur Donald Trump, tha udhëheqësja e agjencisë në një deklaratë të shtunën (10 Nëntor 2024).
“Kjo është një shkelje e qartë e vlerave dhe parimeve thelbësore të FEMA-s për të ndihmuar njerëzit, pavarësisht përkatësisë së tyre politike,” tha Administratorja e FEMA-s, Deanne Criswell, në një deklaratë në rrjetet sociale. “Kjo ishte e dënueshme.”
Sipas CBS News, agjencia nuk e ka identifikuar publikisht punonjësen dhe as nuk tregoi vendndodhjen e ngjarjes.
Por guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, duke e quajtur atë “diskriminim të qëllimshëm” ndaj banorëve të Floridës që mbështesin Trump-in, tha se ngjarja ka ndodhur në Florida. DeSantis tha se ka udhëzuar Divizionin e Menaxhimit të Emergjencave të Floridës të fillojë një hetim për çështjen.
“Përdorimi flagrant i qeverisë si armë nga aktivistët partiakë në burokracinë federale është edhe një arsye tjetër pse administrata Biden-Harris po i afrohet ditëve të fundit,” tha DeSantis në rrjetet sociale.
“Lidershipi i ri po vjen në Uashington dhe jam optimist që këta burokratë partiakë do të pushohen nga puna,” shtoi ai.
Në deklaratën e FEMA-s dhe komentet e DeSantis-it nuk kishte detaje rreth kohës apo komunitetit ku ndodhi incidenti. Punonjësit e FEMA-s janë në shtet duke ndihmuar banorët të rimëkëmben nga Uragani Milton, i cili shkatërroi shumë komunitete në Florida muajin e kaluar.
Criswell tha se është e vendosur të mbajë punonjësit përgjegjës.
“Do të vazhdoj të bëj gjithçka që mundem për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë më kurrë,” tha ajo.