Protesta në Beograd

SHBA-ja mohon se ka nxitur protestat në Serbi

17 Gusht, 17:35| Përditesimi: 17 Gusht, 17:39

  • Share

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se çdo pohim që Shtetet e Bashkuara mbështesin protestat antiqeveritare në Serbi “është i rremë”.

“Nuk na befason që Rusia, përkundrazi, ka instrumentalizuar protestat për të ndjekur agjendën e saj në Serbi, siç bën në mbarë botën”, tha DASH-i më 17 gusht.

DASH u përgjigj në kërkesën e REL-it që të komentonte akuzat e bëra nga autoritetet në Serbi dhe Rusi, që kanë fajësuar shtetet perëndimore – pa përmendur ndonjë me emër për nxitjen e protestave që së fundi u organizuan nga aktivistët mjedisorë, të cilët po kërkojnë ndalimin e minierave të litiumit.

Mijëra persona morën pjesë në protestat e organizuara kundër planeve të Qeverisë që të nxjerrë depozita të litiumit, në një prej minierave më të mëdha në Evropë për këtë material që është krucial për prodhimin e baterive për makinat elektrike.

Moska ka akuzuar Perëndimin se qëndron prapa protestave, ndërkaq zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, ka falënderuar agjencitë ruse të sigurisë për “paralajmërimin e udhëheqjes serbe lidhur me përgatitjet e trazirave masive dhe për një tentim grusht shteti”.

DASH-i tha se “dihet” qëndrimi i SHBA-së për Vulinin. Më 2023, Vulin u vendos në listën e sanksioneve të SHBA-së për shkak të lidhjeve të ngushta të tij me Kremlinin.

Në përgjigjen dërguari REL-it, Departamenti amerikan i Shtetit tha se “protestat paqësore dhe e drejta e qytetarëve për protestë dhe për shprehje të lirë janë pjesë e rëndësishme e demokracisë”.

Gjatë protestave është kërkuar ndalimi i projektit për nxjerrjen e litiumit nga Rio Tinto, në Jadar, në perëndim të Serbisë, teksa protestuesit kanë shprehur drojën se kjo mund të shkaktojë ndotjen e tokës dhe ujit që gjendet afër minierës.

Më 2022, Qeveria serbe refuzoi këtë projekt pas protestave masive dhe shqetësimeve lidhur me ndikimin që mund të ketë në mjedis.

Por, Qeveria e riktheu këtë plan në korrik, pas 16 vjetësh, disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese serbe tha se Qeveria kishte vepruar në mënyrë jokushtetuese kur kishte revokuar lejet për minierën Rio Tinto./REL

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?