Protesta në Gjeorgji

SHBA-ja pezullon ndihmën financiare për Gjeorgjinë, njofton Blinken

31 Korrik, 17:48| Përditesimi: 31 Korrik, 17:50

  • Share

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi të mërkurën se Qeveria amerikane do ta pezullojë ndihmën financiare në vlerë më shumë se 95 milionë dollarë për Qeverinë e Gjeorgjisë.

Blinken tha se pezullimi ka të bëjë me “veprimet antidemokratike dhe deklaratave të rrejshme të Qeverisë gjeorgjiane” të cilat “nuk janë në përputhje me kushtet për anëtarësim në BE dhe në NATO”.

Derisa ndihma për Qeverinë do të pezullohet, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i ndihmojnë programet dhe aktivitetet në Gjeorgji të cilat e forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit, mediat e pavarura dhe zhvillimin e ekonomisë.

Bashkimi Evropian e pezulloi ndihmën për Ministrinë e Mbrojtjes së Gjeorgjisë më 9 korrik.

Në qershor, Parlamenti i Gjeorgjisë e kaloi një ligj për “agjentët e huaj”, të cili Uashingtoni e cilëson si jodemokratik.

Ligji u kërkon organizatave që e marrin më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga vendet e jashtme, të regjistrohen si agjentë të ndikimit të huaj. Ai u kritikua nga partitë vendore dhe nga Perëndimi, të cilat thonë se ai është i frymëzuar nga një ligj i ngjashëm rus për t’i luftuar kundërshtarët.

Në maj, Shtetet e Bashkuara vendosën regjim vizash dhe thanë se bashkëpunimi dypalësh me Gjeorgjinë do të rishikohet./ REL

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?