T’i shkatërrosh, në vend që t’i dërgosh grave në zona krize jashtë SHBA. Ky është vendimi që ka marrë presidenti amerikan Donald Trump për fondin prej 9.7 milionë dollarësh të investuar në kontraceptivë. Bëhet fjalë për pajisje intrauterine (IUD) dhe implante kontraceptive, të cilat — sipas asaj që raporton The Guardian — ishin destinuar për në Afrikë dhe vende të tjera, për të ndihmuar në parandalimin e aborteve të paligjshme dhe të pasigurta. Por në vend që të shpërndahen, ato do të largohen nga depot vetëm për t’u djegur.
Vendimi, i konfirmuar nga Departamenti i Shtetit, përveç se do të ndikojë negativisht në shëndetin e shumë grave në zona të vështira, do t’i kushtojë taksapaguesve amerikanë 167 mijë dollarë. Kjo sepse furnizimet me kontraceptivë, që kanë qëndruar për një kohë të gjatë në magazina të ndryshme (përfshirë një në Belgjikë), tani do të transferohen në Francë për t’u djegur. E gjithë kjo pritet të ndodhë brenda disa ditësh, deri në fund të korrikut. “Është e papranueshme që të shkatërrohen produkte për planifikim familjar, të financuara nga taksat e qytetarëve dhe të blera për të mbështetur gratë në zonat e krizës”, deklaroi senatorja demokrate Jeanne Shaheen.
Administrata — shpjegon The Guardian — e justifikoi vendimin duke sqaruar se arsyeja është mungesa e “blerësve të përshtatshëm” për t’u shitur pajisjet. Ky është një kriter thelbësor, pasi ligjet amerikane ndalojnë dërgimin e ndihmave për organizata që mbështesin ose ofrojnë drejtpërdrejt shërbime aborti apo këshillim për abortin për gratë jashtë vendit. Për më tepër, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë shtoi se shumica e kontraceptivëve janë pranë skadencës (pavarësisht se një burim i drejtpërdrejtë deklaron se data më e afërt e skadencës është viti 2027) dhe se përmbajnë logon e USAID, Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar që Trump ka vendosur ta shpërbëjë dhe ta zëvendësojë me iniciativën "America First". Rietiketimi i tyre — sipas asaj që bëhet e ditur nga zyrtarët në Uashington — do të kishte qenë shumë i kushtueshëm.
“Nëse një grua mbetet shtatzënë pa dashur dhe detyrohet t’i nënshtrohet një aborti të pasigurt, është shumë e mundshme që të humbasë jetën”, deklaroi Sarah Shaw, drejtoreshë e avokatisë në MSI Reproductive Choices, një organizatë globale për planifikimin familjar që vepron në pothuajse 40 vende. Ajo shtoi: “Nëse nuk ke mundësi për të ndarë apo kufizuar lindjet, rrezikon jetën tënde ose të fëmijës tënd.” Dhe mbi të gjitha: “Fakti që kontraceptivët po digjen në një kohë kur nevoja për to është kaq e madhe, është thjesht skandaloz.”
Organizata kishte kërkuar të blinte kontraceptivët nga qeveria amerikane. Një shitje që fillimisht ishte pranuar nga Shtëpia e Bardhë, por me çmime të papërballueshme, sipas deklaratës së Shaw. Bëhej fjalë për një ofertë “jashtë çdo standardi tregu”, të cilës MSI do t’i duhej t’i shtonte edhe shpenzimet e transportit./Corriere Della Sera
Komente
