SHBA-të mbështesin vënien para drejtësisë të të gjithë kriminelëve të luftës në Kosovë pavarësisht etnisë

15 Dhjetor 2020, 15:07| Përditesimi: 15 Dhjetor 2020, 15:10

  • Share

Shtetet e Bashkuara janë të vendosur për të vënë para drejtësisë të gjithë kriminelët e luftës, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, janë shprehur kështu Ambasadori i përgjithshëm për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse H. Tan dhe ambasadori në Prishtinë, Philip Kosnett.

Të dy ambasadorët, thuhet në një njoftim të ambasadës amerikane, i bënë këto komente gjatë një takimi me kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe prokurorët nga Departamenti i Krimeve të Luftës në Zyrën e Prokurorisë së Posaçme të Kosovës. Ambasadori Kosnett, tha se “përgjigja ndaj padrejtësisë është më shumë drejtësi”.

Ndërsa shefi i departamentit për krime lufte, Blerim Isufaj, citohet të ketë thënë se mungesa e bashkërendimit me Serbinë dhe pamundësia për t'u anëtarësuar në Policinë Ndërkombëtare (INTERPOL) dhe organizatave tjera ndërkombëtare paraqesin pengesa për punën e departamentit.

Diplomatët amerikanë thuhet në njoftim, u zotuan për mbështetje shtesë për Departamentin e Krimeve të Luftës.

Krimet e luftës në Kosovë që nga vitit 1999 janë trajtuar fillimisht nga Misioni i Kombeve të Bashkuara ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, lëndët kaluan tek EULEX-i. Që nga viti 2018, me shkurtimin e përgjegjësive të këtij misioni, çështjet e krimeve të luftës trajtohen nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës, e njohur ndryshe si Gjykata Speciale. Aktualisht në Hagë gjenden 5 ish-luftëtarë të UÇK-së, mes tyre ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-krye parlamentari Jakup Krasniqi, kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe deputeti Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa.

 

Kundërshtarët e Gjykatës së Posaçëm thonë se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s dhe e cila la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.

Komento

Komente

  • Arbëri: 15/12/2020 18:12

    SHBA DHE ZOTI ËSHTË NJË...!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?