ANKARA - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte po viziton sot Turqinë, ku do të ketë një takim me presidentin Rexhep Tajip Erdogan, Ministrin e Jashtëm Hakan Fidan dhe ministrin e Mbrojtjes Yasar Guler.
Gjatë takimeve të Rutte-s në Ankara, pala turke pritet të ngrejë si shqetësim praninë e fraksionit kurd PYD dhe milicisë së Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetur nga SHBA. Ankaraja e barazon praninë e forcave kurde në kufirin e saj jugor me organizatën PKK dhe terrorizmin.
Udhëheqja turke pritet gjithashtu të ngrejë në diskutim me Sekretarin e Përgjithshëm çështjen e rolit të mundshëm ndërmjetësues të Turqisë në luftën Ukrainë-Rusi dhe çështje të tjera dypalëshe, veçanërisht në lidhje me ndryshimet e pritshme në marrëdhëniet transatlantike pas marrjes së pushtetit në SHBA nga Donald Trump.
Në kuadër të kontakteve të tij në kryeqytetin turk, Mark Rutte do të takohet edhe me përfaqësues të industrisë turke të mbrojtjes dhe do të vizitojë objektet e Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore, të cilat së fundmi u vunë në shënjestër të një sulmi terrorist.
Para vizitës së tij në Turqi, Mark Rutte u takua të premten në Florida me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, ndërsa ndalesa e radhës e sekretarit të përgjithshëm do të jetë Athina.