Joe Biden shtrëngon duart me shefin e CIA-s, William Burns, foto arkiv

Shefi i CIA-s në Ballkan, në fokus të diskutimeve Kosova dhe Bosnja

22 Gusht, 07:32| Përditesimi: 22 Gusht, 07:42

  • Share

Në Beograd, për vizitë të paparalajmëruar po qëndron i pari i shërbimit më të fuqishëm të inteligjencës në botë, CIA-s amerikane. Atje, William Burns shkoi pas vizitës tjetër të paparalajmëruar në Sarajevë gjatë ditës së djeshme.

Ndonëse detaje të pakta u dhanë për qëndrimin e tij në Sarajevë, e edhe më pak për atë në Beograd, analistët në Serbi po besojnë se kjo vizitë ka dy qëllime: situatën në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Drejtori hulumtues i Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë, Predrag Petroviq, thotë për median serbe “Nova” se kjo vizitë është e pazakontë, duke pasur parasysh se drejtori i shërbimit më të fuqishëm të inteligjencës në botë po vjen në dy vende të vogla ballkanike.

“Nga ana tjetër edhe kjo është e kuptueshme, duke qenë se Ballkani është ndër pikat e mundshme problematike. Konkretisht bëhet fjalë për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën. Prandaj, është një vlerësim vjetor i kërcënimit i lëshuar nga komuniteti amerikan i inteligjencës, dhe përmend Bosnjën dhe Kosovën për vitin 2024. Millorad Dodik dhe aspiratat e tij secesioniste u përmendën gjithashtu në mënyrë eksplicite. Duke qenë se deklaratat e tij për shkëputjen e Republika Sërpskas nga Bosnja dhe Hercegovina janë të shpeshta kohëve të fundit, është e kuptueshme që Amerika reagon në këtë mënyrë”, thotë Petroviq.

Ai thekson gjithashtu se Ballkani si i tillë nuk është prioritet për Amerikën, janë pika të tjera më serioze, por që sigurisht nuk kanë nevojë për një përshkallëzim të ri.

“Kjo vizitë duhet të interpretohet si një lloj disiplinimi i të gjithë aktorëve të mundshëm që mund të destabilizojnë rajonin”, thotë Petroviq, duke shtuar se të gjithë në rajon po e ndjekin dhe se Burns do të përpiqet të dërgojë mesazhe në një mënyrë që të gjithë ta kuptojnë.

Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake në Serbi, Momir Stojanoviq, po ashtu pajtohet se një vizitë e tillë e shefit të një shërbimi të huaj të sigurisë tek zyrtarët në vendet e tjera nuk ka qenë praktikë deri më tani.

“Është e pazakontë që shefi i një shërbimi të huaj të vizitojë vende të tjera. Është veçanërisht e pazakontë që një vizitë e tillë të zbulohet për publikun. Vizita të tilla ka pasur gjithmonë në të kaluarën, por larg syrit të publikut. Zakonisht krerët e atyre shërbimeve të fuqishme takoheshin me shefin e shërbimit pritës”, thotë Stojanoviq.

Çfarë do të diskutohet në Beograd?

Ai shton se tani për herë të parë kemi një situatë ku shefi i një shërbimi të fuqishëm amerikan po takohet me zyrtarë të vendeve të tjera që nuk janë të sektorit të sigurisë.

“Kjo tregon se misioni i zotërisë në fjalë është shumë më i gjerë se bashkëpunimi i shërbimeve të sigurisë në përballjen me sfidat e sigurisë, rreziqet dhe kërcënimet me të cilat po përballet sot njerëzimi”, thotë bashkëbiseduesi i “Nova”-s.

Stojanoviq thotë gjithashtu se qëndrimi i Burns në Bosnje e më pas në Serbi, është tregues se në Beograd me siguri do të flitet për ngjarjet në Kosovë.

“E kam fjalën për hapjen e paralajmëruar të urës në Ibër dhe kur është fjala për Bosnjën, ndoshta është folur për retorikën që ka qenë e pranishme në vitet e fundit, e që mishërohet nga Millorad Dodik. E kam fjalën për mosrespektimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe njoftimin nga Republika Sërpska se do të largohen nga BeH nëse vazhdon kështu”, thotë Stojanoviq.

Sipas tij, kjo vizitë është shumë më e gjerë se bashkëpunimi joprofesional i shërbimeve të sigurisë.

“Fakti që ai u takua me anëtarët e Presidencës së BeH tregon arrogancën e vendit prej nga vjen. Nëse e shikoni konfliktin në Lindjen e Mesme, do të shihni se ai ka kaluar në një fazë më të lartë, të cilën po e zgjidhin shefat e sigurimit dhe këtë e kanë bërë më parë presidentët e republikave”, thotë Stojanoviq.

Ministri i jashtëm i Bosnjës, Elmedin Konakoviq, dje dha detaje të pakta në lidhje me atë që u bisedua në takim me shefin e CIA-s.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për çka tha se vendi i tij është i interesuar të shohë “qetësi”.

“Ai do të shkojë në rajon nëpër disa destinacione të tjera dhe kjo tregon se ata po trajtojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor si një tërësi, gjë që është shumë e rëndësishme për ne. Është gjithashtu e rëndësishme për ne që të qetësohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të qetësohen disa pika të nxehta, t’i drejtohemi ekonomisë dhe ardhmërisë së këtij rajoni, e jo konkurrencës dhe bërtitjes së vazhdueshme mbi faktet historike. Është e sigurt se edhe prania amerikane shkon në atë drejtim – në drejtim të stabilizimit të marrëdhënieve në rajon dhe kthimit në atë që është më e rëndësishme për qytetarët”, ka potencuar Konakoviq.

Një zyrtar i qeverisë amerikane, i cili kërkoi të mos i përmendet emri, i tha Radios Evropa e Lirë se diskutimet e William Burnsit dhe bashkëpunëtorëve të tij me kreun e Agjencisë së Sigurisë së Inteligjencës, Presidencën dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës më 20 gusht u përqendruan, mes tjerash, te përshkallëzimi i tensioneve nga presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, vizitoi Sarajevën në vitin 2016. Mlladen Ivaniq, në atë kohë anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës nga Republika Sërpska, thotë për REL se nuk mendon se do të ndodhë ndonjë gjë praktike pas vizitës së shefit të CIA-s, William Burns, në Bosnje dhe në Serbi më 20 dhe 21 gusht.

Ai beson se vizita e shefit të CIA-s në Serbi “nuk ka të bëjë me Bosnje e Hercegovinën”, por “më shumë me marrëdhëniet e saj me Kosovën”. /KlanKosova

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?