PRISHTINË- Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, u takua sot paradite (23 gusht 2024) me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti. Takimi nisi rreth orës 09:00 dhe Burns u pa duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës rreth një orë më vonë.
Ende nuk ka një deklaratë rreth takimit me zyrtarin më të lartë amerikan të inteligjencës, ndërsa pas këtij takimi, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin po udhëton Burns, është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.
'Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n. Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë' shkruhet në faqen zyrtare të facebook të qeverisë së Kosovës.
Institucionet e sigurisë, inteligjencës dhe Qeveria e Kosovës u tha se janë të përkushtuara që të avancojnë bashkëpunimin me CIA-n.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë” vijon njoftimi.
Takimi dje me Osmanin
Një ditë më parë (22 gusht) Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në takim mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti. Vizita është zhvilluar me masa të rrepta të sigurisë, e policia detyroi gazetarët të mbanin distancë të madhe me pjesën ku lëvizte Burns, që është edhe pjesëtar i kabinetit të presidentit Joe Biden.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! tha presidentja Osmani.
Pse tani?
Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”. Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.
Vetë Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Burns ne Bosnje e Serbi
Shefi i CIA-s zbriti në Kosovë pasi ishte ndalur më parë në Sarajevë dhe në Beograd. Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviç, Zhelko Komshiç dhe Zhelka Cvijanoviçit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja. Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.
Karriera e Burns?
William Burns ish-diplomat dhe ish-ambasador në Rusi, është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është gjithashtu anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Biden e emëroi atë në pozicionin e drejtorit të CIA-s në janar 2021. Burns u betua si drejtor i CIA-s në mars 2021, duke u bërë diplomati i parë në karrierë që shërbeu si drejtor. Presidenti Biden e promovoi atë në kabinet në qershor 2023.
Po vazhdon vizita e kreut të CIA-s William Burns, në Ballkanin Perëndimor, teksa sot (23 Gusht) ka marrë takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi mbrëmjen e djeshme bisedoi edhe me presidenten Vjosa Osmani.
Tematika ka qenë e qartë; situata në rajon dhe lufta kundër terrorizmit.
Pas takimit të sotëm me shefin e CIA-s, William Burns, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se “dëshiron t’i forcojë e zgjerojë edhe më tej marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Sipas kreut të ekzekutivit, i cili bëri postim në rrjetin social FB, vizita e drejtorit të CIA-s “ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, raporton RTK.
“Kosova është shembull suksesi i demokracisë zhvillimore, ku anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike, kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore. E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngremë më tej dhe shtojmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik”, ka shkruar Kurti në Facebook, pas takimit me Burns.
Ai ka bërë të ditur se në këtë takim ka shprehur “përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”.
Moment nga takimi Burns dhe Kurti
Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me takimin e zhvilluar sot paradite mes kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të CIA-s, William Burns. Në takim thuhet se kryeministri shprehu përkushtim për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, dhe se vlerat amerikane do të mbeten shtyllat qëndrore të qeverisjes.
Po ashtu, kryeministri Kurti e njoftoi Burnsin me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns.
Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.
Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.
Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.
Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar fotografitë e para zyrtare nga takimi me shefin e CIA-s, William Burns. Në një postim në Facebook, ajo nënvizon se aleanca me ShBA-të është garancë për siguri, paqe dhe sukses.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një postim në facebook një ditë pas takimit me shefin e CIA-s, William Burns.
Burns ndodhet në Kosovë e ndërsa dje u mirëprit nga presidentja, sot në mëngjes u takua me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.