Politikë

Shefi i ODIHR viziton qendrën ku mblidhen votat e diasporës/ Zannier: Procesi i rregullt! Celibashi: Partitë të shmangin deklaratat që dëmtojnë integritetin

18 Prill, 12:00| Përditesimi: 18 Prill, 15:09

  • Share

Kreu i misionit të OSBE/ODIHR, ambasadori Lamberto Zannier zhvilloi një vizitë këtë të premte në Qendrën ku mblidhen fletët e votimit nga jashtë së bashku me kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi. Në një prononcim të shkurtër për mediat, ai tha se procesi është i rregullt, ndërsa komentoi edhe një deklaratë të Blendi Klosit, drejtues politik i PS i qarkut Dibër, duke thënë se ai s’mund ta dijë që vota e parë për qarkun Dibër ishte për PS.

Ndërkohë, Celibashi sqaroi se zarfi i parë i mbërritur në Shqipëri në fakt i përket qarkut të Beratit dhe jo Dibrës, megjithatë ai apeloi që të shmangen deklarata të tilla nga politikanët pasi cenohet integriteti i procesit të votimit të diasporës. Ai siguroi gjithashtu se vota e zgjedhësve nga jashtë është e garantuar, dhe askush nuk mund ta dijë përmbajtjen, përfshirë edhe KQZ.

“Mendon se e di se ju e ndoqët vetë procesin e dorëzimit të dokumentacionit zgjedhor dhe dokumentacioni i parë që ne skanuam i përkiste qarkut të Beratit dhe jo të Dibrës dhe vinte nga Gjermania. Kështu që, nuk preferoj të komunikoj deklaratat e politikanëve, por ajo çfarë mund të konfirmoj, ka zero shans që dikush, përfshirë edhe KQZ, të ketë dijeni për përmbajtjen e fletët të votimit që vjen. Do të ishte mirë që politikanët të evitonin deklarata që lidhen me rezultatin e votimit. Mund të kontribuojnë negativisht dhe integritetin e procesit, askush nuk di, përfshirë edhe KQZ, përmbajtjen e fletëve të votimit. Kemi garantuar një sistem për të garantuar integritetin e  votës.”, u shpreh ai.

I pyetur se në rrjete sociale kanë qarkulluar video për mënyrën se si votojnë emigrantët, Celibashi tha se këto veprime janë të dënueshme. Sa i përket disa problematikave të raportuara lidhur me mosndjekjen e protokollit nga ana e korrierëve për të ‘trokitur’ tre herë te zgjedhësit jashtë vendit, ai tha se e kanë parashtruar shqetësimin te kompania DHL, dhe se bëhet fjalë për 20-30 raste.

“Ata janë duke kryer vepër penale në vlerësimin tim, por është atribut i institucioneve të tjera për të vlerësuar nëse veprimet e tyre përbëjnë vepër penale, në vlerësimin tim janë duke kryer vepër penale, tejet interesit dhe simpative për partitë politikë për të treguar se për këtë votojnë, por është e dënueshme nga Kodi Penal deklarimi i votës. Ndaj për sa thirrja ime mund të mbërrijë tek ta, në mënyrë kategorike  nuk duhet të postojmë në rrjete sociale përmbajtjen e fletët të votimit se janë duke kryer vepër penale.”, shtoi Celibashi.

Kryekomisioneri tha gjithashtu se brenda kësaj jave pritet të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të zarfeve me fletët e votimit jashtë. Në fundjavë, ai tha se do të mbyllen edhe qarqet e mbetura Shkodra dhe Vlora.

“Besoj që brenda kësaj jave e mbyllim, edhe qarqet e tjera që kanë ngelur, Shkodra dhe Vlora, i përfundojmë brenda kësaj fundjave”, përfundoi Celibashi.

Ndërkohë, gazetarja e Report TV, Esiona Konomi raporton për disa zarfe jo të rregullta për qarkun Dibër e Berat. Ato po mbahen në kuti të posaçme dhe në fund do të vendosë grupi i numërimit nëse do të pranohen/numërohen.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?