Shefi i Shtabit të FA: Baza e Kuçovës një vlerë e shtuar në mbrojtjen tonë! E vetmja në Ballkanin Perëndimor

4 Mars, 10:31| Përditesimi: 4 Mars, 13:10

  • Share

Gjeneral Major, Arben Kingji, shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, tha se baza e Kuçovës do të jetë një vlerë e shtuar në mbrojtjen tonë.

‘Sot, pas përfundimit me sukses të këtij projekti madhor të financuar nga NATO dhe qeveria shqiptare, afrohet një vlerë e shtuar në infrastrukturën tonë të mbrojtjes, e cila riafirmon rëndësinë strategjike të vendit tonë dhe përkushtimin e Aleancës në garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë”.

Ai theksoi se kjo bazë do të ofrojë infrastrukturë të avancuar për mjetet ajrore të Aleancës, akomodim për trupat pjesëmarrëse, do të shërbejë si qendër për aktivitetet e forcës sonë të përgjithshme ajrore, për dislokimin e forcave dhe mjeteve, zhvillimin e trajnimeve dhe stërvitjeve, qoftë në kuadër kombëtar, dypalësh, rajonal apo të Aleancës.

Sipas tij, në një epokë të karakterizuar nga sfidat komplekse dhe dinamike të sigurisë, nevoja për një infrastrukturë mbrojtjeje të qëndrueshme dhe bashkëkohore është bërë më e domosdoshme se kurrë.

“Kjo bazë do të luajë një rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i Aleancës, njëkohësisht edhe rritjes së aftësive tona të mbrojtjes kolektive, duke promovuar ndërveprimin midis forcave aleate dhe duke mundësuar një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj çdo sfide që mund të lindë. Gjithashtu baza ajrore Kuçovë, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Aleancës, patrullimin e hapësirave ajrore, mbështetjen logjistike si kapacitet i vendit pritës apo edhe për qëllime e situata të tjera”, nënvizoi kreu i FA-së.

Ai vuri në dukje ndikimin pozitiv që do të sjellë kjo bazë në zhvillimin ekonomik dhe social të komunitetit.

“Me vënien në funksion të kësaj baze, tashmë përpjekjet tona do të përqendrohen në një projekt tjetër të rëndësishëm, që po hedh hapat e parë: Portin e ri të Porto-Romanos. Ndërtimi i këtij porti do të rrisë ndjeshëm kapacitetet tona detare dhe do të sigurojë mbështetje për operacionet dhe stërvitjet e NATO-s, duke siguruar hapësirat e nevojshme për pritjen e forcave të Aleancës dhe lëvizjen e shpejtë të tyre nga Perëndimi në Lindje, nga bregu i Adriatikut në bregdetin e Detit të Zi dhe në krahun lindor të Aleancës,” u shpreh shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Kingji.


Lajmi kryesor:

Hapet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Rama: Element sigurie për Ballkanin e kërcënuar jo pak nga Rusia! Wisner i SHBA-së: Faktor për stabilitetin


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?