Sociale

Shefi i zjarrfikësve të Gramshit rrëfen situatën me zjarret katastrofike: Edhe 10 zjarrfikëse të kisha s’do ta përballoja dot! Të rriten rrogat për punonjësit

9 Shtator, 18:45| Përditesimi: 9 Shtator, 19:30

  • Share

 

Gramshi ishte një nga zonat që u godit më rëndë nga zjarret këtë verë në vendin tonë. E gjithë njësia Skënderbegas, me fshatrat që përfshin, numëron 68 banesa të djegura dhe 231 kafshë të ngordhura.

Ilir Llapushi, shefi i zjarrfikësve të Gramshit, i cili u dekorua edhe nga Kryeministri Edi Rama, ka thënë për Report Tv se as nuk e imagjinonte të ndodhte një situatë e tillë, ku nëpër fshatra shpërthyen 4 vatra zjarresh njëkohësisht.

Në një prononcim për emisionin Studio Live me gazetarin Ermal Qorri, ai tregoi momentet e para kur mësoi se kishin shpërthyer disa vatra dhe si reagoi.

“As e mendoja që mund të ndodhte një ngjarje e tillë. Kishim 2 vatra të ndezura që rrezikoheshin 2 fshatra dhe po punojnë me dy ekipe për të mbajtur zjarrin mos na hynte në fshat e ta prisnim. Kur më vjen një sinjal nga kryetari i bashkisë që situata në njësinë administrative Skënderbegas është shumë e rëndë, ka rënë zjarr dhe po ecte me shpejtësi marramendëse. Nisem me një grup urgjent drejt Skënderbegasit, duke ikur rrugës shikoj përballë meje komplet njësinë që ishte e gjitha në flakë. Në vendin që zbrisja, në fshatin Buçar plasi një zjarr tjetër. 4 vatra. Unë gjithmonë mbaj në qytet një ekip, e lë të gatshme aty. E nisa menjëherë drejt Kullollasit, distanca është shumë e madhe, 1 orë e 30 minuta me automjete. Ai brenda 20 minutash kaloi nga njëri fshat në tjetrin”.

Ilir Llapushi shprehet se situata ishte tepër e rëndë edhe për çdo stacion zjarrfikëse të BE-së. Ai thotë se edhe nëse 10 automjete zjarrfikëse të kishte në dispozicion, nuk do të mund të bënte asgjë për shkak të terrenit malor dhe pyjeve.

“Fatmirësisht ne si stacion zjarrfikës jemi të kompletuar me automjete, kemi 3 zjarrfikëse. Terreni dhe 4 vatra të menjëhershme nuk mund t’i përballonte asnjë zjarrfikëse e BE. Dhe një staf si i Gramshit nuk mund ta përballonte. Por në ato momente mobilizohesh. Kur kemi nevojë për ndihmë thërrasim zjarrfikëset kufitare. Problemi i zjarrit ishte i menjëhershëm, thatësira, ishin pisha, era e fortë, avanconin me shumë shpejtësi. Në raste të tilla edhe 10 zjarrfikëse të kisha patur këtu unë nuk do ta përballoja. Sepse nuk hyjnë mjetet në pyje. Shërbimi zjarrfikës sa më i modernizuar të jetë aq më mirë është”.

Shefi i zjarrfikësve të Gramshit apeloi që të rriten pagat e zjarrfikësve në të gjithë vendin, për të vlerësuar punën dhe sakrificën e këtyre punonjësve.

“Shpresoj që gjithë këto zjarre që ndodhën këtë vit, shpresoj që të gjithë të vlerësojnë punën dhe sakrificën tonë. Shpresoj që në të ardhmen të ketë ngritje rrogash që të motivohet një qytetar që të bëjë punën e zjarrfikësit”.

Nga vlerësimi i të dëmeve në terren, rezulton se në njësinë administrative Skënderbegas të Gramshit janë djegur 68 banesa në total, prej të cilave 10 janë shkrumbuar totalisht, 16 kanë dëmtime pjesërisht, ndërsa 42 të tjera kanë qenë të pabanueshme ose banesa sezonale.


Lajmi kryesor:

Zjarret në Gramsh/ Nënkryetari i Bashkisë për Report Tv: Banorët do strehohen në kontenier, 42 banesa të djegura


V.GJ /I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?