Gjatë takimit me qytetarët e Tiranës, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, tha se një nga plagët më të rënda në vendin tonë është “shtrirja e dorës”, një fenomen që mungon në shoqëritë perëndimore.
Ai u shpreh se në Shqipëri, pushteti do që t’i mbajë lidhur qytetarët, që t’i ketë në varësi dhe t’u marrë votën, ndaj ky është modeli që Partia Mundësia kërkon të luftojë dhe të sjellë në Shqipëri mundësitë që janë edhe në Perëndim.
“Ne kemi jetuar jashtë dhe atë që kemi përjetuar jashtë, duam ta sjellim në Shqipëri. Kurrë në Perëndim nuk duhet t’i shtrish dorën askujt për të marrë atë që të takon. Kurrë në Perëndim nuk të pengon askush nëse ke një ide, ku është Perëndimi dhe këtë duam të bëjmë në Shqipëri. Kjo nuk është e pamundur, ne mund t’ia dalim. Ndryshimi është në dorën tonë, ne do ia dalim.
Nuk duhet të dëgjojmë ata që thonë se vota për Partinë Mundësia shkon dëm. Duan që qytetarët shqiptarë të vazhdojnë t’u shtrinë dorën, kush bën biznes dhe kush nuk bën biznes, duan që ata të kenë në dorë fatin e qytetarëve shqiptarë.
Kurse ne duam që qytetarët shqiptarë ta kenë vetë në dorë fatin e tyre, që fati i tyre të varet nga puna dhe ambicia e tyre. Duan t’i mbajnë qytetarët shqiptarë lidhur, që qytetarët shqiptarë të varen prej tyre, që të vazhdojnë t’i shantazhojnë, t’i marrin votën, këtë duan.
Ky është modeli 34 vjeçar që ne duam të luftojmë. Prandaj thonë që po humbasim kohën kot, por unë jam i bindur që ne do ia dalim, sepse ne nuk dorëzohemi”, tha Shehaj.
Komente
